E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teuta shokon Dinamon, e mund dhe e fut në krizë

Durrsakët fitojnë me meritë 2-1 në “Qemal Stafa”

Shokon Teuta Superioren. Mund Dinamon në shtëpinë e saj, në “Qemal Stafa” dhe i shtyn kampionët në një krizë nga e cila si duket e kanë të vështirë të dalin. Ka qenë ky rezultati surprizë e ditës së dytë të ndeshjeve të javës së 14-të të Kategorisë Superiore.

Në stadiumin “Qemal Stafa” është luajtur një dramë e vërtetë për Dinamon, kampionen në përpjekje për të ruajtur kurorën. Blutë e kanë parë veten shumë shpejt në dizavantazh, në momentin që durrsakët, me anë të sulmuesit të tyre të ri Pepa, kanë shënuar në portën e Hidit, duke zhbllokuar kështu rezultatin. Një vendosje e gabuar mbrojtjes dinamovite ka bërë, që Pepa të gjendej i vetëm me Hidin, duke e mposhtur këtë të fundit pa shumë vështirësi. Dinamo shokohet, ndërsa “djemtë e detit” marrin zemër, duke mos luajtur aspak inferiorë ndaj kampionëve. Madje, në pjesën e parë, lojën e kontrollojnë ata, ndërsa blutë duken të shokuar, të paqartë taktikisht dhe të mpirë në veprimet e tyre. Por Teuta kishte edhe më: Goditja durrsake për golin e dytë erdhi në minutën e 26-të. Miqtë me anë të një kundërsulmi vrasës, gjejnë sërish rrjetën me anë të korçarit Frashëri. Dinamo nuk u beson syve, ndërkohë që fitorja e miqve vihet në shina të sigurta, pavarësisht se ka ende mjaft minuta për t’u luajtur. Por, minutat e mbetura mjaftojnë vetëm për një gol të dinamovitëve, të realizuar me penallti nga Vila, në minutën e 47-të, pas një ndërhyrjeje të gabuar të mbrojtjes durrsake ndaj Bakajt. Pjesa e dytë shfaq në fushë një Dinamo më agresive, më kërkuese, por jo të saktë në finalizim. Bakaj mundohet ta zgjidhë me veprime individuale fatin e ndeshjes, por e ka të pamundur, sepse gjendet në darën e dy-tre mbrojtësve të Teutës, gjithashtu nuk ka mbështetjen e duhur nga shokët e vet të skuadrës. Nën këtë “muzikë” kalojnë minutat, derisa gjyqtari kryesor, Ervis Peza, vërshëllen për mbarimin e lojës. Teuta merr kështu një fitore të çmuar në “Qemal Stafa”, ndaj kampionëve të vendit, që nga ana e vet duket se janë futur në krizë tashmë. Kampionen në fuqi që nuk arrin të fitojë prej pesë javësh, kur fitoi 2-1 me Kastriotin në Krujë. Dinamo pësoi humbjen e katërt sezonale në 14 javë të luajtura, dhe të dytën në shtëpi, pas dështimit me Flamurtarin në javën e parë. 18 herë kampionët ndodhen në një krizë të plotë rezultatesh, që shoqëron edhe krizën financiare të bluve, me lojtarët dhe stafin teknik që nuk paguhen prej disa muajsh. Teuta, e vetmja skuadër që ka fituar me tre kryesuesit e renditjes – Flamurtarin (2-1), Skënderbeun (2-0) dhe Dinamon (2-1)- u ngjit në kuotën e 21 pikëve, një më pak se Tirana e vendit të pestë dhe tashmë shikon të mundshme ndërhyrjen në luftën për titull.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›