E Diel, 1 Nëntor 2026

Orët e papaguara: Pedagogët e Filologjikut bojkotojnë mësimin

Administrata e Fakultetit të Histori-Filologjisë në Tiranë vendosi të bojkotojë punën në fundjavë. Për rrjedhojë, në këtë fakultet nuk do të zhvillohet procesi mësimor për studimet me kohë të pjesshme, masterat dhe doktoraturat. Vendimi është marrë nga dje Këshilli i Fakultetit në shenjë proteste ndaj Ministrisë së Financave, e cila sipas këtij këshilli nuk u ka paguar pedagogëve orët shtesë në fundjavë. Sipas zv/dekanes së Fakultetit Filologjik, Valentina Duka, Dega e Thesarit nuk ka lëvruar paratë për pedagogët, pasi bazohet te një vendim i qeverisë për shkurtim të pagave për orët jashtë orarit të punës. Këshilli Pedagogjik i universitetit i ka dërguar edhe një memo Degës së Thesarit, e cila ka mbetur pa përgjigje. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, personeli akademik që angazhohet me udhëheqje teze doktorature dhe oponencë teze doktorate konsiderohet ngarkesë jashtë ngarkesës mësimore vjetore dhe do të paguhet për orët shtesë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›