Raiffeisen Bank, kontrolli i llogarive tani nga celulari
Tani mund të kontrollosh llogaritë e tua në Raiffeisen Bank nga celulari. Projekti që mundëson këtë shërbim u lançua dje nga ministri për Inovacionin dhe TIK, Genc Pollo së bashku me John McNaughton, Anëtar Bordi i projektit në Raiffeisen Bank. Mobile Banking u mundëson përdoruesve individë dhe bizneseve, klientë të bankave të nivelit të dytë, të kryejnë transaksione bankare nëpërmjet telefonit celular. Mobile Banking bën të mundur që përdoruesit të marrin informacion mbi llogaritë ose kryerjen e transaksioneve bankare kudo dhe në çdo kohë, dhe kjo vetëm nëpërmjet celularit. Gjatë fjalës së tij në ceremoni ministri Pollo tha: “Është një kënaqësi të marr pjesë në lançimin e projektit Mobile Banking nga Banka Raiffeisen, sepse shënon një hap tjetër të arritjes sonë të përbashkët, të sektorit privat dhe përpjekjeve të qeverisë për të ndërtuar Shqipërinë dixhitale. Para një viti e gjysmë, Kryeministri kërkoi që të përgatisnim bashkë me ministritë e tjera të linjës, gjithçka të nevojshme, që bankat të mundësonin për klientët e tyre shërbime bankare në pëllëmbë të dorës: shërbime bankare nëpërmjet celularit, ky i fundit është aq i përhapur në Shqipëri. (Shkalla e penetrimit të telefonisë celulare ka arritur 140%). Sot teknologjia dixhitale bën gjëra të paimagjinueshme, krahasuar jo vetëm 15 vite më parë, por edhe 3 vite më parë. Sot në një bankë si Raiffeisen, që llogaritet ndër më të mëdhatë në vend, lançohet Mobile Banking. Ky është vetëm një hap tjetër nga orteku, siç është zhvillimi i vrullshëm dhe i shpejtë i teknologjisë së informacionit e të komunikimit”, - tha Pollo.