E Diel, 1 Nëntor 2026

Transplantet, shqiptarët ngjashmëri organesh me vendet fqinje

SHKRUAN: Jonida Tashi 19-11-2011 10:59

Studimi i parë gjenetik për transplantet: Ideale janë veshkat e shqiptarëve të Kosovës, të grekëve, maqedonasve, por jo të vendeve sllave. Mjekët: Pacientët nga Shqipëria bëjnë zgjidhje të gabuar duke bërë transplant në vende të largëta, ku nuk ka përputhje gjenetike

Dhuruesit më të mirë të organeve për shqiptarët që u lind nevoja t’u nënshtrohen transplanteve janë banorët e vendeve fqinje. Për herë të parë në vendin tonë është kryer një studim në fushën e antropologjisë gjenetike, nga i cili kanë rezultuar disa të dhëna të rëndësishme, ku veçohet fakti se shqiptarët mund të marrin organe për transplante vetëm nga Kosova, Greqia dhe Maqedonia. Kështu, analizat imunologjike që janë bërë për transplantin e veshkave kanë treguar se shqiptarët kanë afërsi gjenetike të padiskutueshme me Kosovën, Greqinë dhe më pas me Maqedoninë, por nuk kanë ngjashmëri gjenetike me popullsinë sllave, si Serbi apo Kroaci. Për të arritur në këtë përfundim, mjekët e njohur të disa shërbimeve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, si ai i Imunologjisë, Endokrinologjisë, Nefrologjisë, Hematologjisë etj., kanë bërë 80 analiza imunologjike, në funksion të transplanteve të veshkave, që tregojnë se sa përputhet organi i dhuruesit me marrësin. Pas të dhënave të këtij studimi, të gjithë ata persona që janë në pritje të bërjes së transplanit duhet të tregojnë kujdes me përzgjedhjen e dhuruesit. Pasi, sipas mjekëve të Pavijonit të Imunologjisë në QSUT, pacientët nga Shqipëria bëjnë zgjidhje të gabuar duke bërë transplant në vende të largëta ku nuk ka përputhje gjenetike. Por, arsyeja kryesore që i detyron shqiptarët t’u drejtohen vendeve të tjera për t’iu nënshtruar transplantit është mungesa e këtij shërbimi në vendin tonë, pasi megjithëse ekziston një i tillë në QSUT, rastet e ndërhyrjeve numërohen me gishtat e dorës. Aktualisht, në Shërbimin e Nefrologjisë në QSUT gjenden në listë pritje për të kryer transplantin e veshkave 30 pacientë, ndërkohë që për këtë vit deri më tani është realizuar vetëm një ndërhyrje, nga 8 të planifikuara për t’u mbyllur brenda 2011-ës. Ndërkaq, studimi jep një kontribut të rëndësishëm për nevojtarët e transplantit, pasi ai sjell edhe një fakt të rëndësishëm historik, që popujt që kanë më shumë përputhshmëri gjenetike janë edhe më të hershmit, çka vërteton se shqiptarët janë një popull i lashtë në Ballkan. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili ishte i pranishëm në simpoziumin shkencor “Imunologjia në erën e re geonomike”, organizuar nga Shërbimi Universitar i Imunologjisë, QSUT , Fakulteti i Mjekësisë dhe Ministria e Shëndetësisë. Sipas ministrit Vasili, një arritje e rëndësishme e këtij shërbimi laboratorik është realizimi i ekzaminimeve imunologjike për transplantet, të cilat prej 5 vitesh realizohen në vendin tonë me teknologjitë e biologjisë molekulare dhe qelizore nga më bashkëkohoret.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›