Vatikani bie dakord me Turqinë për ndërtimin e një kishe
Ka mbetur shumë pak nga koha kur qyteti i Tarsit nuk ishte turk, por pjesë e perandorisë romake: disa kolona, disa mure të lashta dhe një shtëpi, ku rreth dymijë vjet më parë lindi një njeri që do bëhej shumë i rëndësishëm për besimin katolik.
"Jam hebre nga Tarsi", shkruhet në Bibël. Njeriu të cilit i atribuohen këto fjalë, ka hyrë në histori si apostulli Pal, përgjegjësi i përhapjes së krishterimit në botë.
Çdo vit, mijëra vizitorë udhëtojnë drejt Tarsit, i cili gjendet pranë kufirit siriano-turk. Por të krishterët që duan të kryejnë ritet fetare në Kishën e Shën Palit, e ndërtuar shumë shekuj më parë, janë të detyruar të përballen me një mori vështirësish. Për të mbajtur mesha në këtë kishë lipsen leje të posaçme nga autoritetet lokale. Përveç kësaj, besimtarëve u vendoset një taksë për të mundësuar mbajtjen e ceremonive fetare, ndërkohë që janë të detyruar të sjellin me vete objektet që nevojiten - duke nisur nga altari, te kryqet e te qirinjtë - dhe t‘i heqin pas përfundimit të ceremonisë. Kisha është përdorur si depo ushtarake për shumë dekada, deri në çastin kur qeveria turke papritmas vendosi ta shpallte muze në vitin 1990.
Vatikani nuk është ndjerë kurrë më parë mbi faktin që të krishterët hasin kaq shumë vështirësi për të adhuruar apostullin. Por këtë vit, të cilin Papa Benedikti e ka shpallur "Viti i Shën Palit", çështja është kthyer në një prej prioriteteve absolute të Selisë së Shenjtë. Në qershor, kardinali Valter Kasper, president i Këshillit Papnor të Njësisë për Promovimin e Krishterimit, do të mbajë një meshë në Tars. Edhe një numër eksponentësh nga kleri gjerman gjithashtu kanë ndër mend të udhëtojnë drejt Turqisë.
Katolikët po zbatojnë një plan të rëndësishëm politik. Rreth dymijë vjet pas lindjes së Shën Palit kërkojnë ndërtimin e një qendre takimesh në Tars.
Për vënien në jetë të skenës kanë përcaktuar një çast shumë të rëndësishëm. Me Turqinë, që i ka hedhur sytë drejt Bashkimit Evropian, qeveria e Kryeministrit Rexhep Tahip Erdogan zor se mund t‘ia lejojë vetes të hedhë poshtë ndonjë kërkesë të tillë të bërë nga ana e të krishterëve. Përveç kësaj, kisha, në mënyrë të veçantë kleri gjerman, po ofron diçka të rëndësishme në këmbim. Gjermanët kanë mbajtur shpesh qëndrim dashamirës karshi ndërtimit të xhamive në tokën e tyre, një politikë që duket se nuk kanë ndër mend ta ndryshojnë. Në këmbim po kërkojnë tolerancë karshi të krishterëve në territorin turk.
Arqipeshkvi i Këlnit, kardinali Joakim Meisner, i cili njihet për këndvështrimet konservative, lobon prej kohësh në favor të kësaj nisme mes kardinalëve të tjerë. Meisner është vendosur përkrah peshkopit Luixhi Padoveze, vikar apostolik i Papës në Anatoli. Që të dy i kanë bashkërenduar përpjekjet me Romën dhe kanë gjetur edhe njerëzit që do u ndihin përgjatë kësaj nisme.
Për Hans Johen Jashke, ndihmëspeshkopin e Hamburgut, struktura në fjalë në Tars do përbëjë një "simbol tejet të rëndësishëm". Sigurisht, Jashke, i cili është i ngarkuari me punë për dialogun ndërfetar në Konferencën e Bishopëve të Gjermanisë, nuk është pro një lëvizjeje që të përkthehet në një tregti të thjeshtë si kisha në këmbim të xhamive. Por vëren jo pa njëfarë domethënieje: "Në rast se Turqia jep shenja të pranimit të të krishterëve në territorin e vet, do të jetë një hap shumë i rëndësishëm drejt pranimit të turqve në Gjermani".
Gjithsesi, duke iu referuar rrethanave aktuale të të krishterëve në Turqi, Jashke e vë theksin te një prej problemeve kryesore që has kjo nismë. Pa aprovimin e autoriteteve qeveritare asnjë komunitet fetar nuk mund të ushtrojë aktivitet në territorin turk. Edhe vetë kleri mysliman është i përfshirë në këtë rregull, të cilin e vendosi Mustafa Qemal Ataturku, babai i Turqisë Moderne, në përpjekje për të mbajtur islamin nën kontroll. Ky sistem i ngurtë ka qëllim të garantojë mbajtjen larg të strukturave të shtetit nga ndikimet e klerit, por njëherësh përbën edhe një prej pengesave kryesore për ushtrimin e besimit të krishterë në territorin turk.
Për shkak të këtyre pengesave, kardinali Meisner mori aprovimin nga kisha katolike për vënien në jetë të planeve për ndërtimin e qendrës së takimit. Njëherësh iu dha dorë e lirë edhe në kontaktet me rangjet më të larta qeveritare të Turqisë. I shkroi personalisht Kryeministrit turk në shkurt të këtij viti. Rexhep Tahip Erdogan ishte kontaktuar edhe më parë për këtë çështje, gjatë një vizite zyrtare në Këln (qyteti simotër i Stambollit) më 10 shkurt të po këtij viti. Kryetari i Bashkisë së Këlnit, Fritz Shrama, anëtar i grupimit konservativ, Unioni Kristian Demokratik (CDU), e përmendi gjatë takimit çështjen e vendlindjes së Shën Palit dhe i parashtroi Kryeministrit turk kërkesat e kardinalit. Erdogani premtoi ndihmën e tij në zgjidhjen e kërkesave. "Në çastin që kisha më paraqitet me këtë dëshirë, do të flas në favor të përmbushjes së saj - qoftë edhe sikur të bëhet fjalë për debate me opozitarët e mi politikë".
Peshkopi Padoveze, i cili i kishte parashtruar të njëjtën kërkesë qeverisë turke përmes një letre të dërguar muaj më parë, e përsëriti dëshirën. Së bashku me gjashtë peshkopë të tjerë në Turqi ai ka ndër mend t‘i kërkojë Kryeministrit turk - që nga ana e vet i ka kërkuar kancelares gjermane ndihmë për përfshirjen në Bashkimin Evropian - t‘i mbahet fjalës së dhënë. Peshkopët kanë bashkuar forcat për t‘i kërkuar Erdoganit të bëhet pjesë e këtij projekti. Tani i përket qeverisë turke ta bëjë Tarsin një pikë kthese në politikën e Turqisë karshi të krishterëve.
Për klerikët gjermanë, çështja ka marrë një rëndësi të jashtëzakonshme në kuadrin e marrëdhënieve të kishës me islamin. Një grup klerikësh të lartë gjermanë kanë plan të udhëtojnë drejt Tarsit në shtator. Kardinali Meisner e vizitoi qytetin rreth një vit e gjysmë më parë dhe mbajti aty edhe një meshë.
Meisner kishte mbetur i pakënaqur nga kushtet në të cilat jetonin të krishterët në vendin që aspiron të kthehet në anëtar të Bashkimit Evropian. Në vitin 1920, 20 për qind e popullsisë së Turqisë i përkiste besimit të krishterë. Kjo shifër sot është vetëm 0.1 për qind dhe sipas tij shteti dhe autoritetet ia bëjnë jetën shumë të vështirë këtij kontingjenti të vogël. Grupi më i madh i të krishterëve përbëhet nga 60 mijë armenë dhe është i vendosur në Stamboll.