E Diel, 1 Nëntor 2026

Organi më i lartë zgjedh lidershipin e ri

27/07/2009  Partia Demokratike thërret në vjeshtë Kuvendin Kombëtar zgjedhor

Kongresi pritet të zhvillojë edhe analizën e zgjedhjeve parlamentare

Partia Demokratike do të mbledhë në vjeshtën e këtij viti Kuvendin Kombëtar (Kongresi). Ende nuk është vendosur data ekzakte e mbledhjes së forumit më të lartë të demokratëve, por mendohet rreth fundit të muajit shtator. Kongresi vlerësohet si shumë i rëndësishëm nga demokratët, pasi në të do të zgjidhen anëtarët e strukturave drejtuese të partisë, duke filluar nga kryetari i partisë e duke vazhduar me anëtarësinë e Këshillit Kombëtar dhe kryesinë e përgjithshme të partisë. Ky kongres zgjedhor për demokratët vjen në një kohë të rëndësishme të jetës së tyre politike, pak kohë pas zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentar. Ky forum i lartë do t’i japë mundësi lidershipit të PD-së të analizojë edhe këto zgjedhje, rezultatin e tyre dhe punën e secilit prej anëtarëve të kryesisë gjatë fushatës elektorale.

Në statutin e PD-së thuhet se Kongresi është organi më i lartë i partisë. Në nenin 38 të tij, ku zbërthehet përbërja dhe funksionimi i tij, thuhet se “data e zhvillimit të Kuvendit dhe rendi i ditës njoftohen të paktën dy muaj përpara ditës së parë të Kuvendit”. Organet më të larta drejtuese të partisë zgjidhen në Kuvend si rregull çdo katër vjet, por ky organ mund të mblidhet në çdo dy vjet. Ndërkohë vendimin për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar e merr Këshilli Kombëtar me propozimin e kryetarit të kryesisë qendrore. Në nenin 39 të statutit thuhet se Kuvendi Kombëtar ka për kompetencë të zgjedhë me votim të fshehtë 100 anëtarë të Këshillit Kombëtar nga një listë përfaqësuese, ku numri i kandidatëve të mos jetë më pak se 1.5 herë më i madh se numri i vendeve që do të shpallen fitues sipas modaliteteve të përcaktuara nga kryesia e Partisë. Po ashtu Kuvendi zgjedh me votim të fshehtë kryetarin e partisë, ose vendos për shkarkimin e kryetarit të partisë mbi bazën e një mocioni mosbesimi të miratuar nga më shumë se gjysma e anëtarëve të Këshillit Kombëtar. Po ashtu Kuvendi Kombëtar me propozim të kryesisë qendrore ose të Këshillit Kombëtar zgjedh kryetarët e nderit, i cili ka vend e votë në organet qendrore të PDSH-së për gjithë jetën.

Pikat e Kongresit

Kongresi do të zgjedhë kryetarin e ri të Partisë Demokratike

Në Kongres do të votohen dhe zgjidhen përmes votimit të fshehtë 100 anëtarë të rinj të Këshillit Kombëtar, sipas statutit, nga një listë përfaqësuese, ku numri i kandidatëve të mos jetë më pak se 1.5 herë më i madh se numri i vendeve që do të shpallen fitues sipas modaliteteve të përcaktuara nga kryesia e Partisë.

Pas zgjedhjeve të Këshillit Kombëtar do të zgjidhen 25 anëtarët e rinj të kryesisë qendrore të PD-së sipas përcaktimeve në rregulloren e brendshme. Numri i zonjave fituese të mos jetë më pak se 25%. Në rast se ky kriter nuk plotësohet në renditjen e dalë pas votimit, atëherë renditja e tyre veçohet nga ajo e përgjithshmja. Mandati i anëtarëve të kryesisë është katërvjeçar.

Kuvendi Kombëtar i partisë do të bëjë analizën e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 28 qershorit si dhe punën e secilit prej anëtarëve të kryesisë gjatë fushatës elektorale.

Kompetencat e Kuvendit (statuti)

Vendos për programin e partisë dhe linjat kryesore të politikës së saj, të cilat janë bazë pune për të zgjedhurit e PDSH-së në nivel qendror e lokal si dhe për pushtetin ekzekutiv të drejtuar prej saj.

Zgjedh me votim të fshehtë kryetarin e partisë.

Zgjedh me votim të fshehtë 100 anëtarë të Këshillit Kombëtar nga një listë përfaqësuese, ku numri i kandidatëve të mos jetë më pak se 1.5 herë më i madh se numri i vendeve që do të shpallen fitues sipas modaliteteve të përcaktuara nga kryesia e partisë.

Vendos për shkarkimin e kryetarit të partisë mbi bazën e një mocioni mosbesimi të miratuar nga më shumë se gjysma e anëtarëve të Këshillit Kombëtar.

Me propozim të kryesisë qendrore ose të Këshillit Kombëtar zgjedh kryetarët e nderit, i cili ka vend e votë në organet qendrore të PDSH-së për gjithë jetën.

Vendos shpërndarjen e partisë ose bashkimin me një ose disa parti të tjera.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›