"Organizatorët gabojnë, krimet kanë nisur më 1941"
I ka vuajtur edhe ai torturat e burgjeve. Nuredin Skrapari është një tjetër i burgosur i asaj kohe. Ishte 32 vjeç, inxhinier nafte, kur në ‘75-ën e dënuan për sabotim ekonomik. Teksa viziton ekspozitën, edhe ai përjeton dhimbje, kujtime, keqardhje... Por ndërsa në stendën e parë të ekspozitës lexon nëntorin e vitit 1944 si fillimin e krimeve të komunizmit, nuk pajtohet me këtë datë. "Krimet kanë filluar më herët, që më 8 nëntor të vitit 1941. Atëkohë u ekzekutua Anastas Lula, sepse nuk pranoi të përfshihej në Partinë Komuniste", shprehet Skrapari. Sipas tij, ekzekutime të këtij lloji vazhduan edhe më pas. Ndërkohë që thekson se ekspozita është një përpjekje që duhet vlerësuar, por ka ende për t‘u plotësuar. "Ka nevojë për më shumë dokumente dhe dëshmi që të krijohet përshtypja e vërtetë e asaj kohe", thekson ai.