Korçë, ngricat vështirësojnë qarkullimin në akset rrugore
Rajoni i Korçës gjatë dy ditëve të fundit ka pasur reshje të pakta dëbore, që nuk i kalojnë 2 centimetra trashësi, por temperaturat e ulëta kanë krijuar ngrica duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve dhe të njerëzve në rrugë.
Disa akse rrugore të rajonit të Korçës, sidomos në zonat e larta malore, janë problematike dhe me rrezik për lëvizjen e automjeteve për shkak të shtresës së akullit, prandaj në to është ndërhyrë me hedhjen e skorjeve dhe kripës, për të shmangur aksidentet automobilistike. Rrugët më problematike për qarkullimin e mjeteve në rajonin e Korçës gjatë 48 orëve të fundit rezultojnë ato në Qafën e Qarrit, ku ndahet rrethi i Korçës me atë të Kolonjës, segmenti Gërmenj - Leskovik, ai Petrushë -Qafë-Plloçë, Voskop - Voskopojë dhe Korçë -Dardhë. Përgjegjësi i sektorit të emergjencave civile në Prefekturën e Korçës, Dhori Çekrezi, bëri të ditur ATSH-së se " në akset rrugore më problematike të rajonit për shkak të ngricave, është ndërhyrë me hedhjen e skorjeve dhe të kripës, ndërkohë që janë forcuar edhe shërbimet e policisë rrugore për kontrollin e lëvizjes së mjeteve në këtë situatë të rënduar". Sipas tij, rruga Korçë- Dardhë është e qarkullueshme me zinxhirë mbrojtës, ndërsa në akset e tjera mjetet qarkullojnë pa zinxhirë, por me vështirësi. Burime nga Prefektura e Korçës thanë se nuk ka asnjë zonë të izoluar, pasi reshjet e dëborës nuk kanë qenë të shumta, por gjithashtu në gjendjen e rënduar nga ngrica nuk janë shënuar as aksidente automobilistike. Temperatura minimale në Korçë regjistrohet -7 gradë celsius dhe ajo maksimale 0 gradë. Këto temperatura të ulëta kanë krijuar shtresa akulli nëpër rrugë, duke penguar edhe lëvizjen e njerëzve në qytetin juglindor.