India ime në udhëkryq: Drejtësi, apo luftë civile?
"Romani dhe eseja janë e djathta dhe e majta e trupit tim. Unë po përpiqem t‘i përdor të dyja". Është thuajse një sfilitje për Arundhati Roin, që e ka vendosur raportin mes pushtetit dhe të dobëtëve në qendër të gjithçkaje që ajo shkruan. "Zoti i gjërave të vogla", bestselleri me famë ndërkombëtare dhe fituesi i çmimit "Booker Prize" në vitin 1997 që ajo e ka cilësuar si "roman politik", ka mbetur vepra e saj e parë dhe e vetme narrative. Që atëherë shkrimtarja indiane është shndërruar në zërin e atyre që nuk kanë zë. Kështu vendosi që ta përqendrojë energjinë e saj krijuese për të denoncuar abuzimet me pushtetin dhe padrejtësitë. Nga digat e mëdha të lumit Narmada, që kanë lënë pa shtëpi miliona qytetarë, deri te persekutimet e myslimanëve për "prejardhjen fashiste" nga fondamentalistët hindu. Për vite me radhë ka ekzistuar një zgjidhje: "Në rastin tim tregimi vjen pa asnjë sforcim, ndërsa eseja lind me vështirësi nga bota e dhimbshme dhe e copëtuar në të cilën zgjohem çdo mëngjes", shkruante në vitin 2002 te "Shtatori në porta". Megjithatë, sot gjërat kanë ndryshuar: "Po mundohem të shkruaj romanin tim të dytë, por nuk është e lehtë", tregon nga shtëpia e saj në Nju Delhi. Kjo frazë e tregon qartë mundimin që po heq për t‘u kthyer sërish në rolin e shkrimtares. Dy vjet më parë pati rrëfyer për "Gardian": "Kam thënë gjithçka që mundja për globalizimin, si shkrimtare duhet të bëj diçka ndryshe". Por "shpërngulja" nuk është bërë ende. Arundhati prej kohësh përsërit: "Nuk jam aktiviste. Aktivistët nuk lodhen kurrë, ndërsa unë jam ‘konsumuar‘ plotësisht". Megjithatë, deri një javë më parë, për Shën Valentinin, ishte në rresht të parë përkrah studentëve dhe docentëve universitarë në një protestë kundër fondamentalistëve hindu, që në janar sulmuan disa vajza në një pub të Magalores, duke i akuzuar për "sjellje të turpshme", akte kundër traditave indiane, shenja të pahijshme të kontaminimit perëndimor. "Një luftë klasash, që zhvillohet mbi gratë", e ka cilësuar Roi. Shkrimtarja që është rritur në Kerala nga e ëma e divorcuar nga i ati, e mori fjalën duke lexuar një pjesë të romanit "Zoti i gjërave të vogla", një ese familjare, ku pasioni i gruas për diçka të paprekshme shndërrohet në tragjedi. "Kam ikur nga shtëpia kur isha 16 vjeçe, sepse ishte e patolerueshme ideja për t‘u rritur në një fshat të vogël. Ika për të qenë e lumtur, e lirë, sepse ata duan të na heqin ajrin dhe të na ndalojnë të marrim frymë. Duhet ta kërkojmë ajrin çdo ditë", i kujtoi turmës me mikrofon në dorë, me trupin e imët dhe fijet e bardha në kokë që e theksojnë paksa moshën e saj 47-vjeçare. "Të shkruash ese është vetëm një mënyrë tjetër për të kuptuar shoqërinë në të cilën jetojmë. Më të drejtpërdrejtë, më kërkuese, shpesh shumë të rëndësishme, mbi të gjitha nëse jeton në atë pjesë të botës që po shpërthen kundër fashizmit para syve të tu". Por Roi nuk e konsideron luftën për të drejtat njerëzore një privilegj të intelektualëve. "Nuk do ta cilësoja kurrë një rol që u takon shkrimtarëve. Si hidraulikët, apo mekanikët, nuk janë një grup homogjen me një orientim të vetëm kulturor. Disa punojnë duke qëndruar nga ana e qeverive, disa të tjerë nga ana e të qeverisurve. Ashtu si për aktorët, gazetarët, sportistët, muzikantët e gjithë të tjerët". Pastaj bën një dallim mes mbështetësve të një çështjeje dhe dëshmitarëve: "Nuk mendoj se të ndërhysh në një situatë politike si shkrimtar është e barabartë me shfrytëzimin e famës për të mbështetur ndonjë lloj të veçantë revolucioni. Nuk bëhet fjalë për të përdorur famën, por për të bërë punën tënde: të shohësh përreth, të shikosh, të mendosh, të shkruash. Megjithatë, ajo vetë e pranon se jo të gjitha "shikimet" janë të pafajshme. Për shembull, libri "Maximum City" i indianit Suketu Metha përmban një pjesë, ku shkrimtari vë në dukje torturat e policisë. "Më ka shqetësuar thjeshtësia me të cilën autori shkoi në një dhomë që përdorej për torturat me një mikun e tij polic dhe përshkroi atë që ndodhte. Të shohësh torturën nuk është një veprim neutral. Nuk mund të jesh thjesht spektator, por shndërrohesh në bashkëpunëtor". Arundhati e vlerëson shumë "Tigrin e bardhë" të Aravind Adiga, fituesi i çmimit "Booker Prize" vitin që shkoi, që tregon anën më pak shkëlqyese të revolucionit indian: "Romani u prit në Indi me shumë zemërim. Por gjëja e mirë është se bën të ndihen në siklet, ata që duhen vënë në siklet". Gjykim më i sfumuar për "The Millionaire" i skocezit Dani Boile, mes favoritëve për "Oskar": E kam parë filmin. M‘u duk i xhiruar në mënyrë të shkëlqyer, ka një impakt të madh. Për të tjerat, është njëlloj si të përshkruash një rrugë të shkatërruar. Kishte probleme të mëdha kulturore, ku filmi përqendrohej vazhdimisht. Dialogët ishin të sikletshëm, gjë që më ka befasuar, sepse kisha vlerësuar "The Full Monty", të të njëjtit skenograf, Simon Beaufoj. Roi ka provuar ndjenja kontradiktore kur e ka parë filmin. "Lumturinë që filmi rrëzon mitin e ‘Indisë shkëlqyese‘ dhe zhgënjimin që regjisori dhe skenografi nuk e kanë bërë me forcën e ndërgjegjen politike që kanë treguar në punë të tjera". Për të, të bëhesh milioner duke fituar në kuice nuk është forma e zakonshme e fitimit të parave. Por ajo vetë e pranon se edhe llojet e protestës pa dhunë, ku ajo vetë ka marrë pjesë për më shumë se një dekadë, ka dështuar. Tani nuk ia ndien më të dënojë personat që rrokin armët për të mbrojtur të drejtat e tyre. Beteja ngelet për t‘u zhvilluar, por se në ç‘mënyrë nuk është ende e qartë". Një gjë është e sigurt: India e saj ndodhet në udhëkryq: "Nga njëra anë drejtësia dhe, nga ana tjetër, lufta civile". Shpresa për zgjedhjet e ardhshme në prill? "Zgjedhjet këtu janë si një festival. Vijnë dhe ikin pa sjellë shumë ndryshime. E vetmja mënyrë për të evituar që shoqëria jonë të mos bjerë në kaos është që qeveria të garantojë një nivel minimal transparence. Sot, disa njerëz besojnë se mund t‘i lejojnë vetes gjithçka: përdhunime, vrasje masive, krime të rënda". Arundhati tregon se shkaqet e sulmeve terroriste në Mumbai para disa muajsh, ishin indiane, edhe pas pranimit të Pakistanit se sulmi u planifikua pjesërisht në territorin e tij, me mbështetjen e një rrjeti global. "Nuk habitem. Të gjesh se kush e harton një atentat terrorist është e pamundur. Nga ana tjetër, policia e Mumbait ka pranuar se atentatorët kanë pasur mbështetje logjistike në Indi. Sulmet lindën nga një histori e veçantë dhe ishin të fundit e një serie, sipas shërbimeve sekrete, të planifikuar dhe të bërë këtu në Indi. T‘i quash si një lloj sulmi të bërë nga një vend i keq, drejt një vendi të mirë, është banale". Ajo që e përcakton terrorizmin si "privatizimi i luftës" dhe e quan Xhorxh Bushin si "mëshirimi i ankthit botëror", tani shpreson tek Obama. "Detyra e tij nuk është ndryshe nga ajo e pilotit, që pak ditë më parë bëri një ulje të detyruar në Hjudson, në Nju Jork. Edhe perandoria amerikane ka nevojë për një ulje emergjente të ngadaltë. Politika e saj e jashtme duhet të ndryshojë dhe shumë prej ndryshimeve të saj do të diktohen nga ekonomia e saj e dobët. Obama ka sjelljen dhe inteligjencën për të bërë një punë të mirë. Megjithatë u zhgënjeva se përse nuk pati kurajën për të dënuar dhunën e Izraelit në Gaza".