Vlorë, lundrimi i trageteve, i pezulluar prej 2 ditësh
Moti i keq vazhdon të jetë problematik në Vlorë për mjetet e lundrimit. Sipas shefit të kapitenerisë së portit, Anastas Goga, edhe dje nuk ka mundur të vijë nga Brindisi njëri prej trageteve, vetëm për arsye të kohës së keqe, ndërkohë që trageti tjetër që qëndron në radë prej dy ditësh, vazhdon përpunimin por pa pasur sigurinë e nisjes.
E gjitha kjo vinte prej faktit se valëzimi në det vazhdonte të ishte 6 deri në 7 ballë çka e bënte të pamundur nisjen e tij. Ndërkohë që brenda gjirit të Vlorës situata ishte shumë e qetë dhe nuk të jepte përshtypjen e vështirësisë së nisjes së tragetit. Por sipas Gogës që në çdo moment ndiqte përmes monitorit situatën detare, valëzimi vazhdonte të ishte shqetësues. Në kapiteneri ishin të pranishëm edhe drejtues të tragetit që po përpunohej, të cilët kërkonin nisjen e tij, por që Goga nuk mund të merrte iniciativa të tilla në kundërshtim me atë që ndiqte në monitor. Kështu, në gjirin e Vlorës situata ka qenë shumë e qetë dhe përpunimi jo vetëm i tragetit por edhe i anijeve tregtare ka vazhduar normalisht, por ato deri në orët e vona të mbasdites nuk janë lejuar të dalin në det të hapur. Sipas parashikimit meteorologjik, pritet që vetëm rreth mesditës mund të bëhet e mundur dalja e tyre në det sepse pritet një përmirësim i vrullit të erërave dhe uljes së valëzimit në det të hapur.