Organizohen klonet e ish-bashkiakut për të thënë se të punoje me Ramën ishte kënaqësi
Pas intervistës me retushime historish të Olta Xhaçkës, dje ka qenë radha e Albana Dhimitrit të deklaronte se me Edi Ramën kishte bashkëpunuar e se me djersë atij mund t’i vijë edhe mbështetja publike
Kohët e fundit në revistat e kryeqytetit po mbijnë si kërpudhat mbas shiu ferrëmanzat e Partisë Socialiste, që japin intervista pa paguar doganën e qartësisë, veçse ngulin gjembaçët mbi figurën e kundërshtarit politik. Një javë më parë ishte Olta Xhaçka që u pseudo-rrëfye në divanin e një psiko-analisteje. Olta e nisi jetën e vërtetë pas vitit 1998, pasi jeta e mëparshme në krah të djalit të Shemsie Kadrisë, boses së firmës Piramidale Gjallica ishte fshirë çuditërisht nga kujtesa. Ajo kërkoi të rikrijonte historinë personale, sic dëshironte ta kish pasur, mirëpo nganjëherë, jeta, si histori e jetuar ka aksidente të papritura, të bukura apo të shëmtuara, që thellojnë karakterin dhe ndryshojnë personalitetin.
Kuptohet vetiu që terapia e zbrazjes së barkut dhe hapjes së gojës duke thënë “të pathëna” si duket prekin seksin e tjetër socialist, kur heshtin “burrat” e konferencave për shtyp të PS-së. “Traditën” e sapo nisur e vijoi të dielën një krijesë tjetër e Ramës, Albana Dhimitri, e cila u shfry në një revistë të metropolit, me një intervistë krejt të posaçme për të mbajtur gjallë kujtesën e sundimit socialist mbi kryeqytetit. Ish-nënkryetarja e Bashkisë së Ramës, znj. Dhimitri deklaroi për një të përjavshme politike majtiste, se largimi i saj nga puna erdhi pas “marshimit të Bashës në Bashki”, dhe se “është e natyrshme që stafi i Kryetarit të Bashkisë, nënkryetarët dhe kabineti i tij të lënë detyrën së bashku me Kryetarin e Bashkisë. Ajo çfarë prodhoi rotacioni pa legjitimitet në Bashkinë e Tiranës, ishte largimi në masë i drejtuesve të niveleve të larta të administratës, të cilët gëzojnë individualisht mbrojtje ligjore nën statusin e nëpunësit civil”.
Megjithëse largimi i saj, erdhi pasi të gjithë Drejtorët e Përgjithshëm të bashkisë, plot 21 drejtorë dhanë dorëheqjen kur qytetarët votuan ndryshimin dhe jo gjallimin e një administrate të narkotizuar nga qelbi i paaftësisë, dhe e tjetërsuar në thelb i vullnetit të qytetarëve, ngase Rama mungonte në drejtimin e punëve të kryeqytetit. Znj.Dhimitri ose ndryshe masha e Ramës për të kapur kacidhet doli në skenë si përgënjështruese duke gënjyer për faktin që hipotekat e pallateve nuk varen nga kryetari i Bashkisë Tiranë.
Kur e vërteta është e kundërta. Edi Rama abuzonte me detyrën kur neglizhonte problemin e hipotekimit të pallateve. Me znj. Dhimitri nuk tregonte gjë tjetër veçse faktin që Edi Rama e kishte vështirë të largohej nga politika klienteliste, apo e fajësimit të tjetrit dhe largimit të përgjegjësisë. Mos-hipotekimi ka ndodhur nga bllokimi abuziv dhe jo transparent, që Edi Rama u ka bërë lejeve të shfrytëzimit.
Mirëpo në pikë të intervistës znj. Dhimitri lëshon një të pavërtetë të madhe, duke thënë se “Të punoje me këta drejtues ishte kënaqësi dhe sfidë profesionale, jo rutinë banale, siç ndodh rëndom në administratën e politizuar në çdo qelizë të shtetit të sotëm. Ata padyshim e respektonin dhe çmonin shumë Edi Ramën”. Është hedhje hi në sy të thuash se administrata e Ramës nuk ishte e politizuar, kur ne të gjithë dimë fort mirë, që administrata e Bashkisë dhe policia Bashkiake e Zyhdi Dajtit ishin pararoja e protestave, grevës së urisë dhe demonstrative të dhunshme në kryeqytet. Sigurisht jo të gjithë adhuronin dhe çmonin njeriu Edi Rama, sepse shumë prej tyre kanë qenë shënjestra të fyerjeve psikologjike të ish-kryetarit të Bashkisë, që njerëzore kishte shumë pak kur shante me libër shpie.
Intervistat kapilare që po japin përditë zonjat rozë të Ramës theksojnë faktin që mbështetja publike atij po i vjen prej krijesave të klonuara nga djersa jo e ballit. Të gjithë të tjerët kanë rezerva për mënyrën diktatoriale me të cilën drejton organizatën e dytë politike në vend.