E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma Zgjedhore, PS ende pa përgjigje për ftesën e PD - flasin ekspertët

27-07-2011 / Gazeta 55

“Të nisë nga puna tryeza e partive politike, duhet të garantohen zgjedhje me standarde”

Atëherë kur debati është fokusuar te hartimi i reformës së re zgjedhore, ekspertët ligjorë apelojnë për një marrëveshje konsensuale mes faktorëve politikë. I këtij mendimi është ish kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Çlirim Gjata, i cili teksa shprehet se reforma zgjedhore është e domosdoshme, thekson faktin se formacioni i tryezës së hartimit të ligjit të ri, duhet të jetë gjithëpërfshirës, duke nënkuptuar se dhe Partia Socialiste duhet të japë kontributin e saj.
“Për reformën zgjedhore nuk mjafton vetëm kompromisi politik, por palët politike duhet mbi të gjitha që të arrijnë të hartojnë një kod të dobishëm. Reforma zgjedhore në vetvete duhet të sigurojë një ligj, që të kemi zgjedhje sipas standardeve. Ata që do hartojnë kodin zgjedhor, duhet të mbajnë përgjegjësi për të. Përcaktimi i kodit është politik dhe ajo duhet që të mbajë përgjegjësi rreth tij. Baza mbetet gjithsesi, vullneti politik, për të hartuar një kod të mirë”, u shpreh ish kreu i KQZ-së, Gjata.
Ai thekson gjithashtu se për hartimin e ligjit të ri elektoral, partitë politike duhet të nisin nga puna pa humbur kohë.
“Mendoj se për nga vetë rëndësia e këtij procesi, duhet të nisë puna për hartimin e reformës zgjedhore. Secila forcë politike duhet të propozojë amendamentet përkatëse në mënyrë që ligji të jetë konsensual dhe mbi të gjitha të sigurojë dhe garantojë standardet zgjedhore”, tha Gjata.
Ndërsa sa i përket zgjedhjeve lokale të 8 majit, ai u shpreh se gjithçka ishte në funksion të drejtësisë dhe transparencës.
“Numërimi i tejzgjatur deri tani i ka shërbyer transparencës dhe drejtësisë”, theksoi më tej, ish kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Çlirim Gjata.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›