Telefonata e Dritëroit
Dritëro Agolli, shkrimtari i madh, në këtë moshë të thyer e këtë vit ka qenë shumë aktiv për të ulur gjakrat sidomos këtë fillimviti, pas protestës së 21 janarit. Personalisht kam diskutuar disa herë me Sadijen dhe Dritëroin në atë periudhë. Shkrimtari donte të fliste. Donte të bënte thirrje për qetësimin e situatës, për ndalimin e dhunës, kritik ndaj Ramës për organizimin e një lloj demonstrate që nuk kishte kokë, por i ashpër me Berishën për mënyrën sesi sulmoi qytetarët që po protestonin në shesh duke iu drejtuar atyre armët e duke lënë të vrarë katër qytetarë. Shpeshherë Dritëroi trishtohej. Sadija më thoshte se ishte i pamundur. Po i përjetonte ngjarjet shumë keq. Nuk ishte kjo Shqipëria që Dritëroi donte të shihte në shekullin e 21, më thoshte Sadija në telefon. Për një javë të tërë, gjatë atyre zhvillimeve të vrullshme, si rrallë ndonjëherë, shkrimtari u bë shumë aktiv në media. Madje, mesa mora vesh, edhe vetë Sadija kishte folur me Helena Kadarenë në telefon. Edhe pse dy shkrimtarët, Dritëro Agolli dhe Ismail Kadare, gjithmonë mes njëri tjetrit kanë qenë rivalë sa i përket letërsisë, Sadija i kishte kërkuar Helenës që vetë ajo të influenconte që edhe Ismaili të shprehej publikisht. Populli do të dëgjonte se çfarë mesazhi do të jepnin dy penat e arta të letërsisë shqipe të këtyre viteve, para dhe pas demokracisë në ngjarjet tragjike të 21 janarit. Rezultati, foli edhe Kadare, në një organ mediatik shqiptar që botohej në Amerikë
Duke rrëfyer këtë episod, them se e kuptoj telefonatën e Dritëro Agollit në këtë momente, dhe urimin që i dha Lulzim Bashës për detyrën e kryebashkiakut. Më ngjan më shumë si një mesazh që Dritëroi kërkon ta përcjellë tek socialistët, sesa një urim për kryetarin e ri të bashkisë së Tiranës. Dritëroi ndoshta mendon se pas ngjarjeve tragjike të 21 janarit, tani në fund të korrikut, duket se gjithçka ka përfunduar dhe socialistët duhet të merren me kursin e tyre politik. Praktikisht, të angazhohen për kongresin e tyre të radhës, të bëjnë analizën e fitores dhe humbjes së këtyre zgjedhjeve, të nxjerrin fundja edhe përgjegjësitë. Urimi i Dritëroit për Lulzim Bashën, nuk ka të bëjë fare me ndryshimin e kursit politik të shkrimtarit, por me mesazhin që, socialistët duhet ta konsiderojnë të mbyllur këtë temë. Nëse do të vazhdojnë të debatojnë, e të mos pranojnë zgjedhjet e Bashës në krye të Bashkisë, do të humbasin shumë kohë. Dhe kjo do tu prishë shumë punë për përgatitjen e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Fundja, socialistët duan të vijnë në pushtet në 2013 dhe kjo nuk mund të arrihet duke u qarë për një mandat që u iku tani nga duart. Të paktën, kështu lexova unë Dritëroin kur i thoshte në telefon Lulzim Bashës: Të korra të mbara. Sepse Dritëroi e ka në majë të gjuhës edhe fjalën e urtë popullore se çtë mbjellësh, do korrësh. Pikërisht, qytetari i nderit të Tiranës, këtë do ketë kohë ta shohë në periudhën që do të vijë. Hë për hë, tani u impenjua vetëm për mesazhin që duhet tu jepte socialistëve. Dhe këtë mesazh, Dritëroi e dha me një telefonatë. Socialistët duhet ta kuptojnë. Shumë mund të thonë se ai mund edhe të ketë rrjedhur e se shkrimtari që u përket socialistëve, nuk mund të dalë ndryshe nga Kadareja që i kërkoi Bashës të tërhiqej. Por nuk është kështu. Dritëroi, me telefonatën e tij nuk ka legjitimuar Bashën në postin e kryetarit të Bashkisë, ka legjitimuar, kthimin e Edi Ramës në selinë e PS, për tu marrë me punët e partisë, për të cilën, prej kohësh, vetë shkrimtari kishte apeluar shumë shpesh.
