Zotërinj Deputetë, Nisuni drejt Tiranës!

Të papunë tek Partizani i Panjohur
Votuesi dhe Ekonomisti
Titulli i këtij shkrimi na erdhi në mëndje pasi ndoqëm një film të vjetër amerikan, Zoti Smith shkon në Uashington! ( Mr. Smith goes to Washington!) Në këtë film paraqitet një deputet i thjeshtë, por me përkushtim për njerëzit që e kanë prurë në Washington. Ai lufton deri në energjinë e fundit për të mos lejuar aprovimin e një ligji që mbronte interesat e një grupi manjatësh të korruptuar duke përdorur metodën filibustër.
Deputetët zgjidhen që të përfaqësojnë interesat e atyre që i zgjedhin. Në të tërë botën e qytetëruar kur aprovohen buxhetet dhe përdorimi i parave që zotëron një shtet, aprovimi bëhet në një mënyrë të tillë nga parlamentet që ti jepet përparësi zhvillimit ekonomik të vëndit. Sa më i zhvilluar të jetë një vënd ekonomikisht, aq më pak probleme politike ka. Dhe sa më pak i zhvilluar të jetë një vënd aq më shumë probleme sociale dhe politike ka.
Praktikisht ekonomia shqiptare është në një nivel zero. Ne skemi uzina e fabrika ku të bëhet punësimi i masës së gjerë të njerëzve. Bujqësia jonë është në një gjendje të mjerueshme. Forca më vitale e krahut shqiptar të punës punon për të forcuar ekonominë e shteteve fqinjë.
Çuditërisht, në këtë situatë, kryeministri ynë mendjendritur ka bërë deklarata të njëpasnjëshme në të cilat me entuziazmin e një skizofreni e vë ekonominë shqiptare në një status që të bën të mendosh ai është Ali baba, që sa të thotë fjalën HAPU SAZAM! dera e magjishme e thesarit të fshehur do hapet dhe florinjtë do burojnë si rrëke në arkën e shtetit shqiptar, ku Fullani ynë i nderuar, në mënyrë të magjishme i bën të zhduken në disa drejtime misterioze shumë më shpejt se erdhën. Por Berisha këmbëngulës si berishë që është, thërret përsëri HAPU SAZAM!
Le të analizojmë deklaratën e tij, kriza ekonomike greke do jetë në avantazhin tonë sepse do ti detyrojë shqiptarët që punojnë atje të kthehen mbrapsht në vendin e tyre.
Ku e bazon kryeministri ynë këtë thënie? A ka plane për të hapur fronte pune për fuqinë punëtorë që ai parashikon se do të lërë Greqinë për shkak të humbjes të punëve atje që ne votuesit si dimë? Mbase ka plane afatgjata që të mbajë këtë forcë krahësh përgjithmonë në Shqipëri duke ndërtuara fabrika e uzina ku ata të punësohen përfundimisht e tu japë një rrogë që të mos i bëjë të lënë Shqipërinë akoma pa ardhur apo thjesht shpreson që ti përdorë si argatë sezonalë për ndërtimin madhështor të parlamentit të ri dhe të rrugëve të shumta që ka filluar ë spo mbarojnë dot?
Por a janë këto rrugë mundësitë për një punë të përhershme që shoqërohet me mbulim shëndetësor dhe parashikojnë pension për të punësuarit? A i jep siguri afatgjatë shqiptarëve që supozohet të vinë nga Greqia dhe ti bëjë të rrinë këtu, e më në fund ti thonë krenarisht emigrimit : Shëndet ! Ku të kam parë ! Tani mund të punësohem në atdheun tim !
Derisa bën një deklaratë të tillë më siguri do ti ketë ato plane në mëndje, por a ja ka paraqitur parlamentit? Se ti bësh këta emigrantë të lënë Greqinë edhe nqs humbin punën atje, duhet ti krijosh një alternativë të fortë joshëse për të lënë gjithçka që kanë krijuar atje për të ardhur këtej kufirit, përndryshe këta emigrantë do të pranojnë të hanë gurë në Greqi para se të vinë mbrapsht e të hanë bar këtu, ku puna sështë e siguruar në asnjë nivel. Dëgjojmë që shqiptarët në Greqi, përkundrazi janë të shqetësuar se me keqësimin ekonomik në Greqi situata e tyre do jetë e dëshpëruar, kjo për faktin se ata as që e mendojnë kthimin këtej për vetë faktin se këtu ska fronte pune për ata që banojnë këtu jo më për ata që janë larguar prej kohësh.
Çfarë e bën kryeministrin tonë kaq entuziast sa të japë një deklaratë të tillë? Mbase SAZAM-i i tij është i pashtershëm dhe ne, votuesit e thjeshtë nuk e dimë?
Le të shohim disa shifra dhe ti dalim në fund llogarisë së arkës së shtetit shqiptar.
1.Kemi një ndërtesë parlamenti dinjitoze për madhësinë që kemi si vend dhe në situatën e vështirë financiare që jemi parlamentarët tanë duan të ndërtojnë një ndërtesë parlamentare të re që kushton qimet e kokës. Dhe për këtë është vendosur të shkatërrohet piramida, kjo qendër kulturore kaq aktive, që shumëkush do të binte dakort se për kushtet financiare që jemi si komb, është një ndërtesë e bukur me një arkitekturë pak a shumë dinjitoze që e kënaq syrin e tiranasve dhe është një nga pikat më tërheqëse në Tiranë për shumë tiranas që nuk ia ka xhepi të shkojnë nëpër lokale për të kaluar një mbasdite të nxehtë vere jashtë shtëpisë. QKN është aktualisht një ndërtesë ku shumë institucione kanë gjetur strehë dhe ku janë shpenzuar ndërkohë nja 6 milionë euro për rikonstruksionin e saj për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar dhe të Galerisë së Arteve në mjediset e godinës, për ta kthyer këtë godinë me të vërtetë në një Qendër Ndërkombëtare të Kulturës. ( Është kuriozitet të dihet se ku ka përfunduar mermeri që mbulonte piramidën? Është mermer i një cilësie të lartë dhe shumë dekorativ. Ndoshta dikush është kaq nostalgjik sa po e përdor për të ndërtuar ndonjë vilë personale diku në breg të detit?)
E gjithë kjo bëhet për të ndërtuar një parlament grandioz për të cilin nuk kemi asnjë nevojë të domosdoshmë jetike si shtet. Përkundrazi, nevojat imediate të vendit janë të luftojmë varfërinë që ka kapur të gjitha skajet e vendit, të forcojmë ekonominë duke ngritur uzina dhe fabrika që të prodhojnë produkte që i nevojiten njerëzve në jetën e përditshme, që nga dajpërs për fëmijë, në ushqime të gatshme, apo rroba të përditshme, dhe të ndihmojmë bujkun tonë të rrisi produktivitetin e fushave të tij q렠 të mos importojmë më patate, qepë, e domate por tia blejmë ato fshatarit tonë dhe jo të huajve (janë para që mund të kursehen pikërisht në këtë fushë të ekonomisë duke i dhënë njëkohësisht përparësi moszbrazjes së fshatit shqiptar).
Sa do ti kushtojë projekti i kësaj ndërtesë të re buxhetit të shtetit shqiptar? Deri tashti ska patur transparencë nga qeveria për koston e projektit. Kjo tregon se çmimi është kaq i lartë sa kryeministria nuk ka guximin ta japë çmimin që do i jepet firmës kontraktuese. Po ku do gjenden paratë për financimin e këtij projekti kur arka e shtetit është bosh dhe ne jemi të mbytur në borxhe?
Kryeministri Berisha i garantoi shqiptarët më 2010 se, qeveria nuk do të shpenzojë asnjë qindarkë më tepër sesa do të shpenzonte për rikonstruksionin e godinës aktuale të saj.
Por shifrat flasin ndryshe. Buxheti i qeverisë është boshatisur në një pikë që kryeministri Berisha vuri në ankand hidrocentralet që të vërë ca para në buxhet sa të mos duket se jemi thatë, ndërsa në anën tjetër planifikon ndërtimin e një parlamenti tejet luksoz që do ti shërbejë 140 deputetëve të zgjedhur dhe administratës përkatëse sepse dikush nuk funksionon dot në parlamentin ekzistues( paradoks i çmendur shqiptar). Këto ndërtime luksoze ndodhin vetëm në shtete diktaktoriale të sotme, ose në kohë të shkuara në monarkitë mbretërore kur mbretërit i konsideronin njerëzit e mbretërisë së tyre qenie pa vlera dhe ndërtonin pallate lluksoze për të kënaqur tekat e tyre.
Kryeministri ynë bën premtime që si mban dot vetëm që të justifikojë shpenzimet e pajustifikuara, ndërsa parlamentarët tanë, që gjithashtu ju bëjnë premtime zgjedhësve të tyre gjatë fushatave elektorale, janë kthyer në sehirxhinj që shtypin butonin PO! ose JO! në vend që të luftojnë për të drejtat e votuesve, për të drejtat e atyre që i prunë në Tiranë, apo brenda