Organizohet Dita Botërore e Filozofisë

Filozofë dhe sociologë do të bëhen bashkë sot, të premten, për ta shënuar Ditën Botërore të Filozofisë në Prishtinë. Ata do të japin mendime mbi shoqërinë moderne, që është tema bosht e diskutimeve që do të zgjasin gjatë tërë ditës.
Me këtë Departamenti i Filozofisë i Fakultetit Filozofik në Universitetin e Prishtinës synon të kontribuojë në ruajtjen e traditës filozofike dhe në zhvillimin e mendimit kritik.
“Dëshirojmë që të krijohet një traditë filozofike edhe në Kosovë dhe në këtë mënyrë të bëhemi pjesë e rrjetit të shënimit të Ditës Botërore të Filozofisë”, ka thënë Dr. Hasnije Ilazi, udhëheqëse e Departamentit të Filozofisë.
E shpallur nga UNESCO-ja në vitin 2002, Dita Botërore e Filozofisë në shumë vende të botës shënohet kryesisht në javën e tretë të nëntorit.
“Ne kemi mysafirë nga jashtë dhe nuk kemi mundur të koordinojmë terminët, prandaj e organizojmë më herët”, ka thënë Ilazi. Fakulteti Filozofik e organizon “Ditën Botërore të Filozofisë” për herë të dytë radhazi.
“Vitin e kaluar ka qenë një manifestim paksa më modest, jo pse ka qenë i pari, por se ka munguar përkrahja financiare. Sivjet është pak më ndryshe dhe besoj se më tepër i ngjan një manifestimi të mirëfilltë”, ka thënë Ilazi.
Ramush Mavriqi, dekan i Fakultetit Filozofik, dhe Hasnije Ilazi, udhëheqëse e Departamentit të Filozofisë, janë të parët që do të flasin në këtë manifestim i ndarë në dy panele. Do t’i takojë profesorit të filozofisë, Kadri Metaj, të hapë panelin e parë, teksa do të diskutojë për “Kultura politike si desideratë shoqërore”.
Ai do t’i lërë vend Emanuela Cevas nga Universiteti i Pavias që do të referojë për “Qasjen pas post legem ndaj pajtimit të çështjes së minoriteteve në demokracinë bashkëkohore”.
Referuesit e tjerë janë politologu Bekim Baliqi dhe sociologia Vjollca Krasniqi. Paneli i dytë është rezervuar për referatin “Moderniteti në mes të lirisë dhe komunitetit”, i Hasnije Ilazit. Për “Lëvizjen e Taylorit përtej epistemologjisë” do të referojë David Weberman, nga CEU i Budapestit.
Në këtë pjesë do të referojë edhe sociologia Sibel Halimi për “Ontologjinë e subjektit të gruas” dhe sociologu Ardian Gola për “Implikimet etike të zhvillimit teknologjik”.