Shirat rikthejnë problematikën e rrëshqitjeve të tokës, rrezikohen banesat
Gjirokastër -Shirat e rrëmbyeshme të ditëve të fundit kanë rikthyer në qytetin e Gjirokastrës problematikën e erozionit dhe rrëshqitjeve masive të tokës. Së fundi fenomeni i erozionit vazhdon të shfaqet problematik në një kodër në lagjen ‘Manalat’ në periferi të qytetit, duke kërcënuar të dëmtojë edhe disa banesa. Për shkak të reshjeve të rrëmbyeshme të shiut gjatë ditëve të fundit, strukturave tektonike të dobëta dhe mungesës së bimësisë, një masiv i konsiderueshëm dheu është shkëputur nga faqja e kodrës. Më problematike bëhet situata pasi përgjatë kodrës shtrihet njëri prej segmenteve rrugorë, i cili lidh këtë pjesë të Gjirokastrës me lagjet e tjera. Në këtë situatë, banorët që jetojnë në disa banesa që ngrihen në këtë kodër ndihen të kërcënuar nga rrëshqitja e tokës. “Vazhdimisht gjatë ditëve me shi, nga kodra shkëputen masive dheu, dukuri e cila ngjall frikë dhe panik tek ne”, - thotë Klement Shele, banor i lagjes ‘Manalat’. Gjatë vitit të kaluar, rrëshqitja e masiveve të dheut nga faqet e kodrës bllokoi qarkullimin në segmentin rrugor që shtrihet pranë saj, ndërkohë që u desh ndërhyrja e mjeteve të rënda për të larguar dherat nga traseja e rrugës. Pas përfundimit të inspektimit nga afër të rrëshqitjeve masive të ndodhura ditët e fundit në lagjen ‘Manalat’. specialistët e shërbimit gjeologjik pohojnë se kjo është zona me problematike në qytet për sa i takon erozionit. “Vazhdimisht, gjatë viteve të fundit në këtë kodër janë shënuar rrëshqitje të vazhdueshme dheu, të cilat kanë vendosur në rrezik edhe jetën e banorëve”, - thonë specialistët e gjeologjisë. Madje si shkak i kësaj problematike, gjeologët rekomandojnë mospërdorimin e zonës në fjalë për ndërtime të reja. Sipas tyre, fenomeni i erozionit në zonën e Manalatit mund të shmanget duke ndërtuar mure mbajtëse, si dhe me një pyllëzim masiv të kësaj pjese të qytetit. B.Shehu