E Shtunë, 31 Tetor 2026

Orgjia me kokainë, kyçet vila

 

Trazhgim Sokolaj

“Kyçet” apartamenti i përdorur për konsum masiv të lëndëve narkotike nga gjimnazistët e Tiranës. Një ditë pas zbulimit të shtëpisë, që ishte kthyer në një “strehë” të fshehtë për dhjetëra adoleshentë dhe të rinj kryeqytetas, policia ka bërë bllokimin e banesës pranë sheshit “Avni Rrustemi” në Tiranë. Materialet hetimore për këtë ngjarje, mbërritën dje në Prokurorinë e Tiranës. Kjo e fundit filloi procedimin penal për pronarin e banesës, Ivi Bego, i cili akuzohet se ka kryer veprat penale “vënie në përdorim të ambienteve për përdorim të narkotikëve”, ndërsa dyshohet se ka ushtruar aktivitet fitimprurës në mënyrë të palicencuar. Gjatë këqyrjes në banesën ku u gjetën 15 gjimnazistë që konsumonin marijuanë, kokainë dhe ekstazi, policia zbuloi një minibanak si dhe disa pajisje për ftohjen dhe mbajtjen e pijeve freskuese dhe alkoolike. Apartamenti deri 5 muaj më parë i dhënë me qira, ishte përshtatur, duke u kthyer në një minibar ku shërbeheshin pije alkoolike, ndërsa furnitorët sillnin dozat me kokainë, cigare hashashi dhe ekstazi. Sipas burimeve zyrtare nga hetimi, mësohet se i gjithë aktiviteti i paligjshëm ka sjellë përfitime financiare për pronarin e shtëpisë Ivi Bego, 36 vjeç. Ai kishte përshtatur banesën ku kishte vendosur edhe tri krevate në të cilat qëndronin gjimnazistët dhe të rinjtë që nën efektin e alkoolit dhe drogës kryenin më pas marrëdhënie seksuale deri në orët e para të mëngjesit. Pronari i apartamentit mësohet se kishte menduar edhe për furnizimin e klientëve me lëndë narkotike. Për këtë mësohet se Ivi Bego komunikonte rregullisht me tre të arrestuarit e tjerë: Gledi Mikerezi, Ardian Tota, e Denis Lekbello. Këta persona u ndaluan me lëndë narkotike në afërsi të “vilës së orgjisë” në momentin kur agjentët e policisë zbuluan bazën, ku gjimnazistët drogoheshin, e cila ndodhej fare pranë qendrës së kryeqytetit. Policia ka dokumentuar skemën e shpërndarjes dhe shitjes së drogës me anë të dhjetëra episodeve të përgjimeve telefonike në bisedat e zhvilluara mes pronarit të shtëpisë Ivi Bego dhe të arrestuarve për shpërndarje droge. Nga burime të hetimit, dyshohet se më shumë se 60 të rinj ishin klientë të rregullt të banesës në fjalë ku sipas të dhënave shkonin të paktën një herë në dy javë. Personat që shërbenin në apartamentin e përshtatur ku dritaret ishin mbyllur me perde të zeza, kujdeseshin që të mos lejonin konsumimin e sasive të mëdha të drogës nga adoleshentët, çka më pas mund të sillte pasoja për jetën e tyre.    

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›