E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy të moshuar, në pranga si shitës kokaine

 

TIRANE - Një burrë dhe një grua, të dy të moshuar, u arrestuan dje me akuzën e shpërndarjes së drogës. Çifti në moshë të thyer ra në pranga në banesën e tyre në zonën e quajtur “Vilat Gjermane”, tek rruga e Elbasanit në Tiranë. Burime zyrtare nga Seksioni i Luftës Kundër Drogës, pranë Policisë së Tiranës, pohuan se gjithçka është zbuluar në sajë të një informacioni të marrë në rrugë operative, që dy të moshuarit tregtonin kokainë. Sipas një njoftimi për shtyp nga policia mësohet se janë arrestuar Kadri Kadriaj, 67 vjeç dhe bashkëshortja e tij Fiqirete Kadriaj, 62 vjeçe, që të dy, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë akuzohen për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Arrestimi i tyre u krye gjatë një kontrolli të imtësishëm të ushtruar në banesën e tyre, ku u gjetën një sasi prej 5.5 gramë, drogë e fortë, e llojit kokainë, e cila ishte e ndarë në 6 doza. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan sasia prej 5.5 gramë lëndë narkotike kokainë, një peshore elektronike, dy aparate telefoni celularë, si dhe shuma parave prej 212 mijë lekësh të reja. Ndërkohë, mësohet se çifti Kadriaj e kanë pranuar “aktivitetin” e tyre, edhe pse kishte dyshime se pas kësaj fshiheshin djemtë e tyre. e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›