E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi garanton mbështetje ndaj të verbërve

Përfaqësuesit e Shoqatës i paraqitën Presidentit Topi problemet që përballet komuniteti i tyre prej dhjetë mijë e dyqind personash. Presidenti Topi u shpreh se do të ndjekë vazhdimisht situatën e tyre 

TIRANE-Presidenti i Republikës Bamir Topi priti sot në Pallatin e Brigadave një përfaqësi të Shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë, kryesuar nga Presidenti i kësaj Shoqate, Sinan Tafaj.
Zyra për shtyp e Presidentit bëri të ditur se përfaqësuesit e Shoqatës i paraqitën Presidentit Topi problemet që përballet komuniteti i tyre prej dhjetë mijë e dyqind personash, duke kërkuar më tepër vëmendje nga shteti për strehim e punësim, por duke parashtruar sidomos kërkesën e ngritur prej disa kohësh prej tyre për mosindeksim të pagave të të verbërve si dhe zbatimin ligjor të “Statusit të të Verbërit”, i cili përfshin të drejtën për arsimim, për punësim, lehtësira në strehim, etj.

Kryetari i Shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë theksoi në mënyrë të veçantë respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në mënyrë që të mos diskriminohen personat me aftësi të kufizuara.

Presidenti Topi, pasi dëgjoi problemet e paraqitura nga përfaqësuesit e Shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë, të cilat i ka patur gjithmonë në vëmendje, u shpreh se do të ndjekë vazhdimisht situatën dhe i siguroi mbi mbështetjen e pandërprerë dhe të fortë sa morale, aq edhe institucionale për këtë shtresë delikate të shoqërisë shqiptare, duke u sugjeruar njëkohësisht ndjekjen e të gjitha rrugëve ligjore për arritjen e një zgjidhje sa më të drejtë e konsensuale.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›