E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryekomunari vret të sapoliruarin nga burgu

 

SHKODER/ RIDVAN DIBRA

Kryekomunari i Pultit qëllon me armë një 50-vjeçar, pasi ky i fundit e sulmoi me një thikë që mbante me vete. Dodë Hila, i liruar nga burgu pak kohë më parë, humbi jetën në derën e një lokali pranë spitalit të qytetit të Shkodrës. Sherri nisi mbrëmjen e djeshme në tavolinë mes tij dhe kryetarit të komunës, Sokol (Martin) Cubi, për të përfunduar në gjakderdhje. Ngjarja ndodhi rreth orës 20:00, ndërsa dëshmitarët e saj pohuan se të dy personat ndodheshin në të njëjtën tavolinë. Mësohet se Hila, 45 vjeç, ishte ulur në një tavolinë jashtë lokalit, që ndodhet përballë spitalit rajonal të Shkodrës. Në ato momente ka qenë duke kaluar Sokol Cubi dhe Hila ka nxituar ta thërrasë që ta ftonte për të pirë diçka. Cubi, nisur nga fakti që e kishte nga ana e tij nuk ia ka prishur dhe është ulur në tavolinë me Hilën. Nuk dihet ende se çfarë kanë qenë duke biseduar mes tyre këta dy persona, por pas rreth çerek ore klientët e tjerë kanë dëgjuar se mes tyre nisi një debat i ashpër. Në grindje e sipër, Hila ka nxjerrë nga brezi një thikë dhe e ka qëlluar tri herë në trup kryetarin e komunës. Ky i fundit duke qenë përballë goditjeve është mbrojtur, duke nxjerrë armën që kishte me vete. Me pistoletën që mbante me leje ai ka qëlluar disa herë mbi bashkëfshatarin e tij, duke e lënë të vdekur në vend e më pas është rrëzuar pa ndjenja. Dëshmitarët e kësaj skene të shokuar kanë mundur që të plagosurin ta transportojnë në krahë deri në urgjencën e spitalit të Shkodrës, pak metra larg. Për shkak të plagëve ai është futur në sallën e operimit. Me të marrë informacionin në vendngjarje shkuan menjëherë forca  të shumta policore, në krye të të cilëve vetë drejtori i policisë së qarkut, Vullnet Topalli. Pasi janë mësuar identitetet e personave të përfshirë në këtë ngjarje të përgjakshme, nisën hetimet për të zbardhur motivet e saj. Burimet policore shprehen se në bazë të hetimeve paraprake rezulton se i plagosuri Cubi kishte qëlluar për vetëmbrojtje me pistoletën që e kishte me leje, për shkak të detyrës që ushtronte në një zonë të thellë malore. Ndërkohë burimet shprehen se shtetasi Dodë Hila, rreth 45 vjeç, kishte vetëm pak ditë që ishte liruar nga burgu i Shën Kollit në Lezhë, ku kishte kryer dënimin për një vrasje të kryer kohë më parë. Nga të dhënat e para rezulton se mes tyre nuk ka pasur ndonjë konflikt të njohur, pasi në të kundërt as kryekomunari nuk do të pranonte të ulej në lokal me Hilën. Pritet që pas përmirësimit të gjendjes shëndetësore të Cubit të zbardhen dhe motivet që shkaktuan vrasjen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›