Mamatë e pasura
Vetëm 70 mama në botë kanë pasuri që e kalojnë miliardëshin dhe 8 prej tyre janë gra që kanë arritur ta bëjnë vetë këtë pasuri. Margaret C. Whiteman, e njohur ndryshe si Meg, ka një karrierë shumë interesante. Ajo u diplomua në Princeton dhe Harvard për biznes dhe punoi për një kohë të gjatë te “Procter&Gamble” para se të zhvendosej me bashkëshortin, një neurokirurg, në Kaliforni. Këtu ajo pati disa punësime si shefe në firmën e konsulencës “Bain&Co” dhe “Hasbro”, e më pas u punësua në një firmë si shefe ekzekutive në një firmë të vogël me 30 punonjës. Në vitin 2004, sipas klasifikimit të revistës “Forbes”, ajo renditej në listën e miliarderëve të botës. Whitman shkruan në librin e saj biografik se ishte e ëma ajo që në fëmijëri e kishte nxitur të kërkonte më shumë nga jeta dhe të ishte gjithmonë aktive edhe në veprim. Në një intervistë të dhënë së fundi për një revistë amerikane, ajo flet për marrëdhënien me mamanë, e cila vetë ishte një grua shumë aktive dhe, ndër të tjera, i kishte thënë: “Nuk ka nevojë që të jesh perfekte për të qenë lidere, por nuk mund t’i lejosh kurrsesi vetes që të jesh e ndrojtur”. Sot kjo këshillë po e çon zonjën Whitman drejt një objektivi shumë të rëndësishëm, atë të konkurrimit për postin e guvernatores së Kalifornisë në vendin e Shvarceneger-it. Gjatë fushatës së saj ajo ka përmendur vazhdimisht shpirtin e aventurieres, me të cilën e jetoi jetën e ëma, shpirt që ajo e trashëgoi më së miri. E ndërsa familja nga vjen ka qenë gjithmonë shumë e rëndësishme për të, tashmë po kaq e rëndësishme është bërë familja që ka me bashkëshortin dhe dy djemtë. Dashuria e saj është Kalifornia, për të cilën ka plane të mëdha, kryesisht për të rimëkëmbur ekonominë e rrënuar. Për Whitman mëmësia nuk ishte aspak një pengesë në rrugën drejt suksesit. Përkundrazi një ndihmë shumë e madhe për të kuptuar mirë se si lindin dhe se si zhvillohen gjërat në këtë jetë. Për të familja dhe veçanërisht djemtë janë një frymëzim në rrugën dhe aspiratat e saj. Sigurisht kjo e bën atë që të jetë edhe më e pazakontë në klubin e 70 mamave miliardere të planetit dhe një nga 8 mamatë që nuk e ka trashëguar, por e ka krijuar vetë pasurinë. Ndërkaq, në kontrast me këtë, në botë, gjithmonë sipas klasifikimit të “Forbes”, ka 555 miliarderë që janë bërë të tillë falë punës së tyre e që njëherazi janë edhe baballarë. Pjesa tjetër e miliarderëve janë persona që i kanë trashëguar pasuritë e tyre nga familjarët. E ndër mamatë e tjera që e kanë bërë vetë pasurinë mund të përmendim Rosalia Meran e “Zara”-s. Dy fëmijët e saj e mbajnë mend shumë mirë kur mamaja e tyre përgatiste veshje kryesisht fustane për gratë e lagjes e më pas veshje për të gjithë botën. Ajo dhe ish-bashkëshorti i saj ngritën perandorinë e veshjeve “Zara”, një linjë spanjolle me çmime të arsyeshme, që rezulton të jetë një ndër më të suksesshmet në botë. Në tetëshen e miliardereve të bëra vetë hyn edhe Doris Fisher e Gap dhe Xhuliana Beneton, që e nisën me kompani të vogla për ta shndërruar biznesin e tyre në një biznes mbarëbotëror dhe me fitime të jashtëzakonshme, që i kanë shndërruar ndër personat më të pasur të botës. Një tjetër miliardere është Joanne Rowling, autorja e Harry Poter-it, që e bëri vetë çdo qindarkë të miliardave që ka sot përmes epopesë më të famshme për fëmijë të këtyre viteve. Ajo gjithsesi nuk i ka harruar ende ditët e vështira të rinisë së saj të hershme, kur i duhej që të punonte për një strehë dhe për bukën e gojës, ndërsa rriste e vetme vajzën e saj të parë dhe shkruante në cepin e një lokali me një kafe gjatë gjithë ditës. Sot ajo ka edhe dy fëmijë të tjerë me burrin me të cilin është martuar. Në disa raste ata që trashëgojnë pasuri e përdorin atë për të ecur më tej në ambiciet personale. I tillë është rasti i Abigali Xhonson, që së bashku me të atin kontrollojnë “Fidelty Investments”. Kompania e fondeve, që është më e madhja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u themelua nga gjyshi i Abigalit. Ajo u promovua më pas shefe e një pjese të rëndësishme të kompanisë dhe pritet që të emërohet nga i ati si pasardhësja e tij. Ndërkaq është martuar dhe ka sjellë në jetë dy fëmijë. Një shembull shumë i rrallë është ai i gruas më të pasur të Azisë, Savitri Jindal, e veja e shefit të “OP Jindal Group”, një konglomerat çeliku dhe energjie në Indi, e cila ndërkohë merret edhe me rritjen e 9 fëmijëve të saj. Edhe pse ajo nuk është shefja e madhe, 4 nga djemtë e saj drejtojnë 4 sektorët më të rëndësishëm të kompanisë, por ajo merret me politikë, duke u zgjedhur vjet për të disatën herë përfaqësuese e shtetit ku jeton. Por të jesh miliardere apo fëmijë miliarderi nuk është gjithmonë diçka e lehtë. Liliane Bettencourt, trashëgimtarja e “L’Oreal”, fabrikës kozmetike ndër më të fuqishmet në botë dhe vajza e saj kanë pasur marrëdhënie shumë të tensionuara me njëra-tjetrën, për shkak të mosmarrëveshjeve të shumta. Kjo, sepse shpesh mamaja nuk ka qenë dakord me mënyrën me të cilën e bija i ka shpenzuar paratë gjatë jetës së saj. Gjithsesi pasuria dihet që ka anët e mira e të këqija, por të jesh nënë dhe të bësh vetë një pasuri nga e para është pa dyshim një gjë shumë e rrallë dhe tepër e vështirë.
#