Sherr me thika në shkollë, plagoset nxënësi i klasës së 9-të
Artan CENA
TIRANË - Një nxënës është plagosur në një shkollë 9-vjeçare në Tiranë gjatë një sherri të ndodhur paraditen e djeshme. Burime nga policia e kryeqytetit kanë bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur në shkollën “1 Qershori”, në vendin e quajtur Qyteti i Nxënësve. Një grup nxënësish ndodheshin në oborrin e shkollës kur kanë filluar të zihen me njëri-tjetrin. Në sherr janë përfshirë shumë prej nxënësve të klasës së nëntë të shkollës. Gjatë zënkës, njëri prej të miturve ka nxjerrë një thikë që e mbante me vete dhe ka qëlluar shokun e tij duke e lënë të plagosur në vend. Të alarmuar nga ngjarja e ndodhur nxënësit e shkollës “1 Qershori” kanë ikur me vrap në ambientet e brendshme, ndërkohë që në oborr kanë dalë mësuesit. Këta të fundit kanë marrë nxënësin e plagosur dhe me urgjencë e kanë dërguar në spital dhe nga ana tjetër kanë njoftuar dhe policinë, që ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes. Dy nxënësit e tjerë, që dyshohet si shkaktarë të ngjarjes, janë ndaluar nga polici i shkollës, i cili ka pritur mbërritjen e kolegëve.
Ngjarja
Ka qenë pushimi i gjatë, rreth orës 10:30 të paradites së djeshme kur nxënësit e shkollës “1 Qershori” kanë dalë në oborr. Zënka kishte filluar që në mëngjes, duke vazhduar më pas në ambientet e klasës e duke përfunduar me të plagosur. Dy nxënësit kishin pasur një konflikt për shkaqe banale dhe e kanë ruajtur inatin kur kanë dalë jashtë. Ata ishin sharë me njëri-tjetrin që në mëngjes kur kanë mbërritur në shkollë. Pasi e kanë vazhduar zënkën në ambientet e klasës, dy të miturit, së bashku me përkrahësit e tyre, e kanë vazhduar atë jashtë, në momentin kur kanë dalë në pushim. Por, në këtë sherr, veç dy 14-vjeçarëve janë përfshirë dhe të tjerë nxënës të shkollës 9-vjeçare. Dy grupet e të miturve, nxënës të klasave të nënta, janë mbledhur në një cep dhe kanë filluar të zihen. Siç kanë bërë të ditur shokët e tyre, gjatë dëshmive të marra nga policia ata ishin zënë dhe herë të tjera, pasi kishin konflikte. Por, ditën e djeshme sherri ka qenë më i rëndë. Njëri nga adoleshentët ka nxjerrë një thikë që e mbante në xhep dhe e ka qëlluar shokun e tij të klasës, duke e lanë të plagosur. Menjëherë kanë filluar të bërtasin nxënësit e tjerë që ndodheshin aty dhe është dhënë alarmi. Në oborr kanë dalë mësuesit që e kanë dërguar me urgjencë të plagosurin në spital.
Nxënësit
Dy nxënësit e përfshirë në sherr ishin në një lagje. I plagosuri mësohet se e ka shtëpinë përballë shkollës 9-vjeçare “1 Qershori”, ndërsa agresori pak më larg. Me të mbërritur në ambientet e shkollës, policia ka shoqëruar dy 14-vjeçarët, të cilët dyshohet se janë përgjegjës për sherrin dhe plagosjen. Emrat e tyre nuk janë bërë të ditur. Burime nga policia thanë se 14-vjeçari i plagosur është jashtë rrezikut për jetën nën kujdesin e mjekëve. Kjo nuk është ngjarja e parë e kësaj natyre, e ndodhur në shkollat ku studiojnë minorenë. Grindjet me thika dhe mjete të tjera të forta në oborret e shkollave janë kthyer në shqetësim për policinë. Ngjarje të tilla kanë vënë në pikëpyetje sigurinë dhe kontrollet e rrepta në shkollat shqiptare.
Policia, seminare me nxënësit për ndalimin e përdorimit të drogave
TIRANË - Nis fushata për sensibilizimin e nxënësve të shkollave për pasojat e drogës dhe substancave të tjera të rrezikshme. Policia e Tiranës ka bërë të ditur se ky program po zbatohet për herë në parë dhe është hartuar në bashkëpunim me Gardën Kombëtare të Nju Xhersit, Programit ICITAP, Policisë së Tiranës dhe Drejtorisë Arsimore të Tiranës. Temat e përfshira në këtë program kanë të bëjnë me luftën kundër duhanit, alkoolit, marijuanës etj., program i cili do të zhvillohet me klasat e 5-ta dhe të 6-ta të shkollave 9-vjeçare të kryeqytetit. Për këtë program janë ngritur dhe funksionojnë 10 grupe instruktorësh me përfaqësues nga stafi pedagogjik arsimor dhe punonjës të Policisë së Tiranës. Zhvillimi i temave gjatë ditës së djeshme është kryer në shkollat 9-vjeçare “Vasil Shanto” dhe “Kongresi i Manastirit” dhe sot ky proces do të vijojë në shkollat “Ramazan Jarani”, “Bajram Curri” dhe “Skënder Çaçi”. Gjatë zhvillimit të programit kanë asistuar përfaqësues të Gardës së Nju Xhersit SHBA dhe përfaqësues të Programit ICTAP në Tiranë. Ky program është projektuar të jetë afatgjatë dhe do të përfshihet në kurrikulat e planit mësimor të shkollave 9-vjeçare të Tiranës për vitin akademik 2010-2011.
Arrestimet
Plagoset me armë, shokët e ndihmojnë të fshehin ngjarjen
ELBASAN - Plagoset me armë i riu, shokët e ndihmojnë që të fshijë gjurmët e armës. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë në Elbasan. Burime zyrtare nga Policia e Elbasanit kanë bërë të ditur se, nga ana e Seksionit Kundër Personit është bërë i mundur ndalimi i Samet Hoxhës, 21 vjeç, Selim Mukjas, 24 vjeç dhe Kostandin Panxhi, 21 vjeç. Policia tha se, ndalimi i tyre është bërë pasi në Spitalin Kirurgjik Elbasan është dërguar i riu Samet Hoxha, i dëmtuar me armë zjarri. Ai, pasi ka marrë ndihmën mjekësore, është jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Çlirimi”, në lokalin e qytetarit me inicialet N. P. Aty, i riu ka plagosur veten pasi mbante pa leje një armë zjarri pistoletë. Por, shokët e tij, shtetasit Selim Mukja dhe Kostandin Panxhi, kanë ndihmuar dhe kryer veprime për të prishur vendin e ngjarjes dhe fshehur armën e krimit. Nga ana e policisë, në vendngjarje është dërguar grupi hetimor, i cili, gjatë kontrollit në lokalin e shtetasit N. P. ka gjetur dhe bllokuar në cilësinë e provës materiale një pistoletë. Dosja me materialet i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme, nën akuzën e “mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe të municionit”, si dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Ngjarja
Plagosen të rinjtë, po peshkonin me lëndë shpërthyese
LIBRAZHD - Tre të rinj janë vënë në pranga në Librazhd, pasi kanë peshkuar me lëndë plasëse të paligjshme. Sipas policisë, ata janë dëmtuar dhe vetë, pasi një nga eksplozivët artizanalë që kishin ndërtuar u ka shpërthyer në dorë. Policia e Librazhdit tha se gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshme janë vënë në pranga Jani Meta, 22 vjeç, Oltjon Meta, 23 vjeç, dhe Aurel Xhevdet Meta, 18 vjeç. Të tre të rinjtë janë banues në fshatin Kuturman, komuna Qendër Librazhd. Burimet zyrtare nga Policia e Elbasanit thanë se, arrestimi i tyre është bërë pasi këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë përgatitur një përzierje plehu kimik me naftë dhe kapsollë detonatorë me fitil. Më pas ata kanë shkuar për të peshkuar në lumin e Kuturmanit, Librazhd. Në kohën që Oltjon Meta, po hidhte për peshkim një përzierje të tillë, i ka plasur në dorë e për pasojë kanë mbetur të dëmtuar të tre të rinjtë. Oltjon Meta dhe Aurel Meta ndodhen të shtruar në Spitalin kirurgjik Elbasan jashtë rrezikut për jetën, tha policia. Gjatë aksionit uniformat blu kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 8 kapsolla detonatorë, një pjesë fitili, një çakmak, një shkrepëse që shërbente për të ndezur fitilin dhe një përzierje që mendohet se është përzierje plehu kimik me naftë.
11 Maj 2010