Bëri prostitutë të fejuarën, ekstradohet Memolla
TIRANË - I dënuar me 12 vite për trafikimin e të fejuarës së tij, ekstradohet nga Italia Agim Memolla. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit thanë gjatë ditës së djeshme se, në orën 11:30, nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana është bërë ekstradimi nga Roma drejt Shqipërisë i shqiptarit Agim Memolla, 35 vjeç, lindur në Rrogozhinë. Ky person është i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë me Vendimin Nr. 137, i datës 24 dhjetor 2004. Memolla është dënuar me 12 vjet burg për kryerjen e veprës penale të “shfrytëzimit të prostitucionit“. I ekstraduari i djeshëm ka shfrytëzuar si prostitutë duke filluar nga viti 1999 deri në vitin 2003, të fejuarën e tij, të renë me inicialet B. M., duke e detyruar me anë të presionit psikologjik. Fillimisht e dëmtuara është shfrytëzuar si prostitutë në Greqi e më pas në Itali. Ky person ka qenë në burg në Itali për llogari të Drejtësisë italiane dhe Gjykata e Apelit të Milanos ka vendosur pranimin e kërkesës për ekstradim të këtij shtetasi më 19 tetor 2007. Pas ekstradimit të tij, Memolla, në aeroportin “Nënë Tereza”, u është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, që e kanë dërguar në qeli, sipas vendimit të dhënë nga gjykata.
11 Maj 2010