Frika nga hakmarrja, vrau tre vëllezërit Mulliri, ngujohet familja e Besim Karajt
KORÇË - Ngujohet bashkë me tre fëmijët bashkëshortja e Besim Karajt, autorit të vrasjes së 3 vëllezërve në fshatin Vidohovë të Korçës. Ngujimi i gruas dhe fëmijëve vjen nga frika e hakmarrjes, edhe pse nuk kanë marrë kërcënime të drejtpërdrejta. Fëmijët nuk shohin e nuk mund të shkojnë më larg sesa shtëpia e gjyshit për mëse 3 muajsh. Frika nga hakmarrja i ka privuar ata tashmë edhe nga e drejta për t’u arsimuar, pasi nuk mund të shkojnë as në shkollë. Sipas nënës së tyre, distanca më e largët ku mund të shkojnë është shtëpia e vëllait të saj, por gjithnjë të shoqëruar nga forcat e policisë. “Largësia më e madhe që mund të bëjmë nga shtëpia është deri te vëllai, të shoqëruar nga policët. Qarkullojnë fjalë në fshat, të cilat thonë se fëmijëve të mi u kanoset rrezik”, - tregon e ëma e fëmijëve. Katër muret e shtëpisë së gjyshit janë streha që i mbron këta fëmijë nga paragjykimet dhe asaj që flitet për ngjarjen e 29 janarit, kur Besim Karaji qëlloi për vdekje 3 vëllezërit Mulliri në mes të fshatit. Mundësia e vetme për t’i shpëtuar rrezikut dhe kushteve ekonomike, sipas Eglantinës, është largimi nga fshati, pse jo dhe jashtë kufijve. “Kemi shkuar në Korçë, kemi bërë thirrje të paktën për një pension ose për vizën që ma kanë premtuar mua për të ikur jashtë shtetit të punoj, as atë nuk ma kanë dhënë. Për pension thonë se nuk u takon sepse babai është gjallë, kur ai nuk mund t’u ofrojë asgjë fëmijëve. Dua të largohem unë dhe djali sepse atë e kam më shumë në rrezik dhe veten time. Dua të largohem për t’iu shmangur rrezikut, por edhe për një punë për të mbajtur fëmijët me bukë”, - shprehet Eglantina. Ngjarja e rëndë shokoi të gjithë fshatin fillimin e këtij viti, kur pasi kishte zbuluar lidhjen intime të bashkëshortes me më të madhin nga vëllezërit Mulliri. Besim Karaji vendosi të hakmerret me vrasje, pa menduar se pasojat e asaj masakre do t’i ndjenin mbi të gjitha edhe fëmijët e mitur.
11 Maj 2010