E Shtunë, 31 Tetor 2026

Orhan Pamuk sjell në shqip “Kështjella e bardhë”

Autori i Lajmit: red.
“Kështjella e bardhë”, romani i shkrimtarit turk Orhan Pamuk, nobelist i vitit 2006 në Letërsi, është botuar nga shtëpia botuese “Skanderbeg books”, shtëpi që ka edhe ekskluzivitetin e veprës së tij në gjuhën shqipe, duke sjellë në shqip dhe romanet “Unë jam e kuqja”, “Bora”, “Kështjella e bardhë” dhe librin me ese “Baulja e babait”. Për herë të parë Orhan Pamuk iu prezantua lexuesit tonë në një kohë me marrjen e çmimit “Nobel” në Letërsi në tetorin e vitit 2006, duke iu dhënë mundësia për ta gjykuar dhe shijuar këtë shkrimtar në një kohë me lexuesit kudo në botë. Shkrimtari turk Orhan Pamuk, i nderuar me çmimin “Nobel” të Letërsisë 2006, është konsideruar si nyje lidhëse mes Lindjes dhe Perëndimit. Ky romancier u procedua në vendin e tij kur përmendi në një intervistë vrasjen e armenëve dhe kurdëve nga turqit më 1915. Por Akademia Suedeze e ka cilësuar autorin : "Me një shpirt melankolik për qytetin e tij të lindjes" dhe "që ka zbuluar simbole të reja për lidhjen mes kulturave".

“Kështjella e bardhë”
“Kështjella e bardhë” është një roman i shkurtër, një dialog i lirë rreth modernizimit dhe ironisë së tij. Rrëfyesi në vepër është një dijetar dhe inxhinier i ri venecian, i rrëmbyer nga turqit gjatë udhëtimit të tij me anije nga Venecia dhe Napoli. Turqit e dërgojnë atë rob në Stamboll, ku i duhet të mbijetojë një jete të re e të panjohur. Është fjala për një ngjarje të vendosur në Stambollin e shekullt XVII. Dijetari i ri kthehet shpejt në skllav të një astrologu të parëndësishëm, i thirrur “Profesor”. Ky i fundit u është përkushtuar ideve mbi shpjegimin e përparësisë së Perandorisë Osmane ndaj Evropës, përmes mjeshtërive shkencore e teknologjike, që nisin nga shkencat mjekësore deri tek ato astronomike. Për këtë, ai do të shfrytëzojë edhe mendjen e ditur të skllavit të tij, duke vendosur me të raporte që shpesh humbasin në kufijtë e njeriut dhe hijes së tij. Veç kësaj, ai ka edhe pamje pothuajse të njëjtë fizike, si edhe po atë moshë të rrëfyesit tonë të paemër evropian. Por pas një aventure të gjatë shpikjesh e dështimesh, suksesesh, adhurimi dhe urrejtjeje të heshtur, Profesori fillon të dyshojë se përse ai dhe skllavi i tij, të cilët i kanë dhënë aq shumë njëri-tjetrit dhe kanë ndarë aq fshehtësira, të mos mund të këmbejnë edhe identitetet mes tyre. “Kështjella e bardhë” është një triumf i imagjinatës, libër i një nënteksti të fuqishëm, një rrëfim plot larushi dhe intrigë njerëzore, vazhdim i idesë unikale të Orhan Pamukut mbi ekuilibrin e brishtë të botës mes Lindjes dhe Perëndimit.

Ky lajm është publikuar: 02/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›