E Diel, 1 Nëntor 2026

Lëkundje në koalicionin PDK - LDK

Autori i Lajmit: red.
Shkarkimi i zv/ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Naser Osmani nga kryeministri Thaçi ka shënuar edhe lëkundjet e para në koalicionin PDK- - LDK.
Megjithëse është ndeshur me pakënaqësi nga partneri i tij në koalicon, kryeministri Thaçi ka mbrojtur vendimin e tij për shkarkimin e Osmanit, që ishte pasojë e fjalorit të zv/ministrit nga radhët e LDK-së me ministrin e Transportit dhe zyrtarin e lartë të PDK-së, Fatmir Limaj.
"Qytetarët e Kosovës janë deklaruar, kanë votuar për të parë. Qeveria e Kosovës udhëhiqet prej njerëzve me legjitimitet të plotë qytetar dhe kjo çështje që ju pyetët nuk ka të bëjë fare me emrin, nuk ka të bëjë fare me partinë, por ka të bëjë me normat, me rregullat dhe parimet mbi të cilat punoj unë si kryeministër i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës", deklaroi kryeministri Thaçi.
Në anën tjetër Presidenti Fatmir Sejdiu ka thënë se komunikimi midis partnerëve të koalicionit është i domosdoshëm, ndërsa ka theksuar nevojën e stabilitetin institucional për ndërtimin e shtetit.
"Jam mbështetës i gjykimeve racionale për proceset që duhet të zhvillohen në Kosovë dhe të kemi parasysh vërtetë ndjeshmërinë e kohës në të cilën jetojmë, kjo është përgjegjësi e secilit. Unë flas edhe për deputetë, edhe tek bartësit e funksioneve kryesore, është borxh i ynë që të sillemi në mënyrë më të mirë të mundshme konform legjislacionit në fuqi, respektimin e Kushtetutës së Kosovës... Ne do të punojmë që qeverisja të jetë efektive, e suksesshme, pa pasur momente që mund të krijojnë kundërvënie verbale dhe të panevojshme në parlament", u shpreh Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu.
Kjo është përplasja e parë midis partnerëve të koalicionit PDK-LDK që nga formimi i qeverisë në janar të këtij viti, megjithëse shenja pakënaqësia në mesin e zyrtarëve të këtyre dy partive janë vërejtur edhe më herët. Ky koalicion ndërkohë është quajtur i panatyrshëm nga opozita, duke pasur parasysh raportet pothuajse armiqësore në të kaluarën.
Ky lajm është publikuar: 02/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›