E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga dy shqiptarëve me 1 kg kokainë



RIMINI - Kishin fshehur një kilogram kokainë në kutitë e këpucëve, arrestohen dy shqiptarë. Policia italiane ka bërë të ditur se Fatos Cafi, 22 vjeç dhe Sajmir Cani, 26 vjeç, janë vënë në pranga në orët e para të mëngjesit të djeshëm në Rimini. Dy shqiptarët kishin bazën e shpërndarjes së lëndës narkotike në një apartament në qendër të Viserbës, Rimini. Dy të arrestuarit ishin mbajtur nën vëzhgim nga policia prej disa ditësh. Kontaktet me klientët ata i bënin direkt në rrugë, ndërkohë që dorëzimin e bënin në banesën që kishin marrë më qira. Një zile ishte ajo që njoftonte dy shqiptarët se blerësi kishte ardhur. Kontrolli ishte bërë në kohën kur njëri prej shqiptarëve ishte duke dalë nga banesa dhe me vete kishte disa doza kokaine, që do t’ua jepte disa të rinjve, të cilët po prisnin poshtë. Në shtëpi, përveç lëndës narkotike, është bllokuar dhe një sasi parash dhe materiale të tjera që shërbenin për prerjen dhe paketimin e lëndës narkotike.

Pranga dy shqiptarëve, akuzohen për vrasjen e një emigranti sirian
ATHINË - Dy shqiptarë kanë rënë në pranga në Greqi. Ata dyshohet se janë autorët e krimit të tmerrshëm, ku vranë një burrë përpara syve të bashkëshortes së tij, e cila ishte shtatzënë. Dy vrasësit, që janë shqiptarë, në mes të muajit maj ishin futur në banesën e një çifti emigrantësh nga Siria, nëpërmjet portës së ballkonit. Njëri nga dy kriminelët shqiptarë, me kërcënimin e armës ndaloi burrin, ndërsa i dyti, me thikë në dorë, e detyroi bashkëshorten e tij shtatzënë t’u tregonte ku ishin paratë dhe sendet me vlerë. Në ato momente gruaja pësoi shok dhe atëherë bashkëshorti i saj reagoi, edhe pse kishte armën në kokë. Krimineli nuk hezitoi ta qëllonte në kokë. Emigranti fatkeq nga Siria vdiq në spital, ndërsa bashkëshortja e tij, nga tronditja e madhe, lindi para kohe. Policia bëri të mundur arrestimin e të dy shqiptarëve që ishin ndarë me njëri-tjetrin për të humbur gjurmët, njëri në Halkidha dhe tjetri në Kardhicë. Të njëjtët vrasës, prillin e kaluar, kishin hyrë në shtëpinë e një nënkoloneli të Forcave Ajrore në lagjen “Marusi” në Athinë. Pasi e kishin lidhur çiftin kishin marrë paratë dhe bizhuteritë që gjetën dhe u larguan me makinën e çiftit.

3 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›