Oriand Abazaj “lirohet” edhe nga Apeli

Albania Sport (AS) - Lojtari Oriand Abazaj, pas vendimit të Komisionit të Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, është lënë i lirë edhe nga Komisioni i Apelit pas ankimimit te KF Kastriotit. Komisioni i Apelit rrëzoi ankimimin e Klubit të Futbollit "Kastrioti" në lidhje me prishjen e njëanshme të kontratës së futbollistit Orjand Abazaj me klubin krutan. Në kontratën e Abazaj të lidhur me klubin e presidentit Zhilli, shkruhej se në rast largimi të trajnerit Ramazan Ndreu (i larguar që pas javës së katërt të kampionatit aktual), lojtari ishte i lirë të prishte kontratën. Komisioni i Apelit la në fuqi vendimin e Komisionit të Disiplinës, datë 13 janar 2007. Orjand Abazaj ka nënshkruar kontratë me klubin e futbollit "Tirana" dhe aktualisht është duke kryer fazën përgatitore me bardheblutë në Kemer të Turqisë. Abazaj u aktivizua disa minuta në miqësoren e fituar 2-1 nga Tirana me turqit e Instambulspor.