FSHF ne alarm: “Klube shpejtoni për federimin e lojtarëve"

Albania Sport(AS) - Federata Shqiptare e Futbollit u bëri thirrje të gjitha klubeve të futbollit për të mbyllur brenda afateve federimet e lojtarëve të rinj, me të cilat ata kanë nënshkruar gjatë merkatos dimërore. Theksi i vecantë i është regjistrimit të lojtarëve që vinë nga kampionatet e huaja, ku ka një numër të madh futbollistësh që vinë nga kampionati i Kosovës, por dhe nga ai maqedonas. "Koha e mbetur në dispozicion të klubeve po reduktohet gjithmonë e më shumë", u shpreh për "albania-sport.com", zëdhënësi i FSHF-, Lysjen Nurishmi. "Regjistrimi i futbollistëve të rinj nga ana e klubeve në limitet e fundit, në datat 30 dhe 31 janar, nuk krijon mundësinë e rakordimit të dokumentacionit masiv të klubeve për federimet", shtoi Nurishmi. Klubet shqiptare të Kategorisë Superiore, por dhe atyre të Kategorisë së Parë janë duke zhvilluar një merkato dinamike. Sipas raportimeve të mediave të shkruara dhe atyre elektronike, janë një numër i madh futbollistësh, të cilët më rifillimin e kampionatit (më 2 dhe 3 shkurt 2007) do të veshin fanella të reja. FSHF bëri të ditur se deri në datën 19 janar 2007 në Sektorin e Garave në FSHF kanë sjellë kërkesë për Karten Internacionale të Transferimit (ITC) vetëm Klubi i Futbollit "Apolonia" për portierin Zendeli nga Maqedonia (ITC ka mbërritur në FSHF) dhe klubi i Dinamos për dy lojtarët : Vangjel Mile nga Norvegjia dhe Adrian Nuhiu nga Maqedonia. Sipas Nurishmit, kartonat e ITC për këta dy lojtare nuk kanë mbërritur ende në FSHF.