E Diel, 1 Nëntor 2026

Mitrovski, sekretari maqedonas nesër vizitë në Shqipëri

Albania-sport.com (AS)- Llazar Mitrovski, sekretari i Federatës Shqiptare të Maqedonisë, i cili pak ditë më parë u arrestua nga policia maqedonase, ku pas një qëndrimi prej më shumë se dhjetë orësh, u la i lirë, do të vizitojë nesër duke u nisur nga ora 12:00 Shqipërinë, i shoqëruar nga zëvendëspresidenti i FFM, Rexhep Bexheti. Lajmi konfirmohet për albania-sport.com, nga zëdhënësi i FSHF, Lysjen Nurishmi. Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Roland Mici në linjë telefonike për Albania Sport sqaroi edhe disa detaje të vizitës: "Sekretari i federatës maqedonase dhe delegacioni që ai e shoqëron do të ketë takim me palën shqiptare, të cilën e krysoj unë. Do të shikohen në detaje të vendet e akomodimit". Një takim midis presidentit Duka dhe delegacionit maqedonas nuk do të ketë, pasi numri 1 i FSHF-së, ndodhet jashtë shtetit për arsye personale, që lidhen me bizneset e tij.
Avokati Roland Mici nuk e përjashtoi një vizitë në qytetin e Shkodrës për të parë nga afër dhe kushtet e stadiumit "Loro Borici". "Më pas do të kemi edhe një kafe pune, ku do të flasim për një zgjerim të marrëdhënieve midis dy federatave, zhvillimin e miqësoreve midis përfaqësueseve U-17 e deri U-21", përfundoi sekretari i FSHF-së.
Miqësorja me Maqedoninë do të zhvillohet, më 7 shkurt 2007, ndërkohë që përgatitjet e ekipit Kombëtar A do të fillojnë, më 4 shkurt.
Federata Maqedonase e Futbollit është themeluar në vitin 1948. Nga viti 1994 është anëtare e UEFA-s dhe FIFA-s. President i federatës është Haralampie Hadzi-Risteski

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›