Orkestra etnike e Kinës, koncert në Tiranë

Në konferencën për shtyp, ambasadori kinez në Tiranë, Ye Hao i cilësoi këto koncerte vetëm hapat e parë të një shkëmbimi kulturor që do të jetë më intensiv gjatë gjithë vitit. “Këto shfaqje shënojnë shkëmbim kulturor mes dy vendeve tona, të cilat kanë pasur një miqësi tradicionale”, theksoi ambasadori Hao.
Orkestra e cila ka në përbërjen e vet 28 artistë, do të interpretojë një sërë melodish të disa prej kompozitorëve të njohur kinezë. Përveç faktit që këtë orkestër e bëjnë të veçantë instrumentet tradicionale që ata përdorin, për ta bërë më të afërt kontaktin me publikun shqiptar ata kanë përzgjedhur edhe dy këngë shqiptare. “Ne jemi miq të vërtetë, Pekin dhe Tirana”, një vepër e kompozuar nga Tish Daija në kohën e marrëdhënieve të mira mes dy vendeve dhe “Kur perëndon dielli”.
Koncertet e Orkestrës Etnike të Nanjing nuk do të jenë të vetmet aktivitete që do të sjellin pak nga kultura kineze në Shqipëri. Në konferencën për shtyp u bë e ditur se më datë 17 mars, do të ketë një tjetër aktivitet nga një ansambël prej 120 artistësh që do të vijë nga Pekini.