E Diel, 1 Nëntor 2026

"Orkestra" shqiptare dhe akademikët antishqiptarë

Reagimet e shumta të shqiptarëve të Maqedonisë, sikurse edhe shumë herë më parë, po ashtu edhe pas nxjerrjes në shitje të Enciklopedisë maqedonase, e cila haptas nënçmon dhe falsifikon faktet historike të shqiptarëve, janë të çoroditura. Intelektualët, partitë shqiptare dhe asociacionet e ndryshme joqeveritare, secila në stilin dhe mënyrën e vetë përpiqet të përfitojë edhe nga kjo situatë, duke përfituar eventualisht ndonjë pikë më tepër karshi opinionit të këtushëm.

Enciklopedia e fakteve të shtrembëruara maqedonase, është tamam dorë e zgjatur apo thënë më mirë ekzemplar (model) i enciklopedive serbe, të cilat për vite me radhë i kishin hartuar akademikët më me famë në Serbi. Vetëm sa për të përkujtuar mendjet e intelektualëve tanë të përgjumur, do të sjellë emrat e tyre me këtë rast, Dobrica Qosiq, Ivo Andriq, Ilija Garashanini, Çubrilloviqi etj. Është çështje krejtësisht tjetër se si u pritën elaboratet e këtilla famëkeqe për shqiptarët nga popujt e ndryshëm të Ballkanit. Dihet se çfarë vlerësimi kanë të tjerët për këta akademikë, mirëpo ata megjithatë, popullit të vetë i kanë dalë në ndihmë sa herë që e ka dashur nevoja. Këtë e bëjnë akademikët që kanë vetëdije të lartë kolektive kombëtare, për shkak se sa herë që rrezikohet embrioni kombëtar, ata vihen në krye të popullit. Ndërkohë që te ne, qoftë në Tiranë, Prishtinë dhe në rastin konkret në Maqedoni, akademikët tanë ishin pjesë e përpilimit të Enciklopedisë fashizoide dhe nënçmuese për shqiptarët. Pra këtu dallojmë shumë ndërmjet vete, fatkeqësisht.

Dhe shqiptarët, pra gjithnjë aludojë te tri qendrat shqiptare Tiranë-Prishtinë-Shkup, duke i anashkaluar rreziqet dhe përpjekjet e të tjerëve, në vazhdimësi po merren me pasojat dhe jo me shkaqet. Kështu pak a shumë ndodhi me vizat e çoroditura të cilat aplikoheshin vetëm për shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa të njëjtat nuk apeloheshin për qytetarët e Serbisë, Bullgarisë e Greqisë. Janë edhe një varg problemesh të tjera, të cilat autoritetet e Shkupit i aplikonin vetëm për shqiptarët në Ballkan. Së fundi, doli edhe Enciklopedia maqedonase, për të cilën mediat e këtushme, në rastin konkret gazeta "Lajm" e Shkupit, kishte alarmuar pothuajse që para një viti. D.m.th akademikët e këtushëm shqiptarë (që janë më kompetente për rastin konkrete) njohuritë e para për këtë enciklopedi i kishin marrë qysh prej kohësh, mirëpo çështja është se sa ata ishin angazhuar që enciklopedia të mos hartohet konform kokave dhe koncepteve antishqiptare të disa akademikëve maqedonas, si kategoria e akademik Bllazhe Ristevskit. Realisht pothuajse të gjithë kishin heshtur, duke vëzhguar hartimin e saj në cilësinë e vëzhguesve të huaj!.

Tani kur enciklopedia doli në pah dhe reagimet filluan nga poshtë, respektivisht nga mediat e këtushme në gjuhën shqipe dhe shoqatat joqeveritare shqiptare, dhe jo nga ana që janë kompetentë akademikët shqiptarë dhe fundja partitë politike (të cilat në Maqedoni sillen sikur të jenë zotë), duke u gjetur në një situatë "të mbështetur për muri", edhe liderët partiakë me zë të mekur, filluan t‘i tregojnë dhëmbët. Për të qenë ironia edhe më e madhe, ata zërin e ngrisin me shumë vonesë, me qëllim që të evitojnë pasojat. Të përshkruaj në mënyrë telegrafike reagimet e tyre: Enciklopedia duhet të tërhiqet, nga ajo duhet të heqë dorë Kryeministri Gruevski, duhet t‘u kërkohet falje shqiptarëve, të formohet Akademi tjetër shqiptare në Maqedoni…, dhe shumë e shumë reagimet të kota dhe të stërvonuar.

Përvoja e deritanishme ka treguar se në Maqedoni, tendencave antishqiptare duhet t‘i përgjigjet me gjuhën e njëjtë, sepse përndryshe ato paraprakisht janë të gjykuara të dështojnë. Reagimet dhe kërkesat e matura (të çfarëdollojit qofshin ato) të shqiptarëve gjithmonë janë anashkaluar nga autoritetet e këtushme shtetërore. Ata kanë përfunduar dhe heshtur, në ditën e tretë të tyre.

Pse akademikët dhe faktori politik shqiptar nuk kërkon në mënyrë ultimative (me afat të shkurtër kohor) tërheqjen e enciklopedisë dhe fillimin e përpilimit të një enciklopedie të re nga akademikë shqiptarë dhe maqedonas, në mënyrë të barabartë. Maqedonasit ia kanë frikën pasqyrimit real të së vërtetës së këtushme, sepse për ta do ishte fatal në aspektin e ruajtjes së identitetit kombëtar-fetar. Nëse për një gjë të tillë nuk do të kishte gatishmëri nga pala maqedonase, pse shqiptarët të mos kërcënohen dhe fillojnë përpilimin paralel të enciklopedisë maqedonase. Tani kur reagimet negative ndaj enciklopedisë maqedonase, janë shpalosur edhe nga kancelaritë e Ambasadës së SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe në Shkup, mundësi për të bërë shumë më tepër në kontekst të zgjidhjes së këtij problemi me përmasa kombëtare për shqiptarët në rajon, është shumë e madhe, madje-madje, edhe reale.

Me fjalë tjera, shqiptarët pas vonesës në këtë drejtim, tani armë të fortë duhet ta kenë reagimin e koordinuar të njëzëshëm. Zëri i Tiranës zyrtare, Prishtinës dhe shqiptarëve të Shkupit, duhet të depërtojë thellë në veshin e akademikëve antishqiptarë maqedonas, por edhe te veshi i shurdhët i Kryeministrit Gruevski. Mesazhi do të duhej të ishte ky, nëse nuk dëgjohet zëri ynë, pasojat mund të jenë nga më të ndryshme, por përgjegjësia gjithsesi duhet të jetë e atyre që mbjellin dhe shtrembërojnë historinë kombëtare shqiptare. Të bësh këtë, nuk është pak, sepse fundja, pikërisht për një ideal të tillë kombëtar konflikti i 2001-shit mori shumë jetë të djemve më të mirë të shqiptarisë (Nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia). Vetëm shkurtpamësit dhe ata që kanë mungesë vizioni për të ardhmen e një shteti, mund të anashkalojnë rreziqet dhe seriozitetin e situatës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›