E Diel, 1 Nëntor 2026

Ecuria e monedhave të fqinjëve kundrejt euros

Të gjitha monedhat e rajonit tonë që i nënshtrohen regjimit të kursit të lirë, u dobësuan gjatë periudhës janar-mars, por pas kësaj, ndërhyrjet energjike të qeverive përkatëse, të cilat shkurtuan shpenzimet, sollën stabilitet dhe tashmë këto monedha kanë marrë rrugën drejt forcimit. Dinari i Serbisë humbi 23 për qind të vlerës gjatë këtij viti dhe qe monedha me ecurinë më të keqe në rajon. Tendenca zhvlerësuese e leit të Rumanisë dhe florintës së Hungarisë, mori fund pas ndërhyrjes së FMN-së në këto vende, si dhe pas një marrëveshjeje mes bankave të mëdha rajonale, të cilat u angazhuan të mos tërhiqen nga Rumania. Situata në Bosnjë, Maqedoni dhe Bullgari mbetet e pandryshuar. Këto vende zbatojnë regjimin e kursit fiks të këmbimit të lidhur me markën gjermane/euro. Leku gjendet në një situatë të veçantë në krahasim me monedhat e tjera të rajonit. Ekonomia shqiptare nuk është në borxhe me pjesën tjetër të botës, siç qe Rumania e Hungaria dhe sistemi bankar nuk ka tërhequr investimet nga Shqipëria. Rënia e të ardhurave nga eksportet dhe remitancat vlerësohet se vetëkorrigjohen automatikisht në ulje importesh. Në këto kushte, problemi kryesor me lekun mbetet deficiti i lartë buxhetor, i cili këtë vit ka kapërcyer nivelin prej 6.3 për qind, sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›