E Diel, 1 Nëntor 2026

“Për sa kohë do të votoni PD, nuk do të ketë rritje taksash”

26-03-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha garanton gjatë një bashkëbisedimi me përfaqësues të biznesit të vogël në Bërzhitë 

Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje gjatë një bashkëbisedimi me përfaqësues të biznesit të vogël në Bërzhitë, se, “qeveria nuk do të rrisë taksat për biznesin e vogël”. Kreu i ekzekutivit u zotua për lehtësira maksimale për nxitjen dhe zhvillimin e biznesit të vogël, pasi sipas tij, ky biznes gjeneron më shumë vende pune. “E rëndësishme është që ne të hartojmë një projekt që biznesit të vogël t’i krijojmë lehtësi maksimale, pasi ky është biznesi që gjeneron më shumë punë Ne hoqëm, taksat për çdo lloj imputi që do përdorej për qëllime prodhimi. Ne sot mund të jemi vendi i vetëm në botë që nuk ka asnjë lloj takse mbi kapitalin. Ne kemi dërguar në parlament heqjen e tatimit mbi të ardhurat personale për të gjithë ata që paguhen nën 30 mijë lekë duke dhënë mundësinë që punëtorët të kenë pothuajse një rrogë shtesë , por duke u dhënë mundësinë edhe sipërmarrësve që të parashikojnë edhe 10 përqind më shumë investime”, deklaroi Berisha. Kreu i qeverisë solli në vëmendje se, “sot ka një diskutim të heqim taksën mbi biznesin e vogël, e cila është më e vogël se taksa që hoqëm ne mbi të ardhurat personale, por taksa nuk hiqet, këtë deklaratë e bëjnë vetëm ata të cilët janë kundër ligjit, si zotëria që është kundër ligjit dhe thotë mos paguani gjobat, që le sharrën të presë pyjet, që të bëhet evazioni sa të mundet. Shteti që kur është krijuar ka funksionuar mbi bazën e taksave. Shteti është gjithnjë më i drejtë kur zgjeron në shkallën më maksimale taksat, por natyrisht në proporcion, por të shesësh taksën proporcionale si taksë të barabartë natyrisht që mashtron gjithë ditën”, tha Berisha. Kryeministri Berisha theksoi se, “taksa progresive është taksa e Marksit, është taksa me të cilën synohet që mos të lejohen njerëzit të pasurohen. Unë nuk kam frikë nga pasuria juaj, unë besoj se pasuria juaj e biznesmenëve të mëdhenj është një pasuri kombëtare, e cila kthehet në vende pune, në rroga për qytetarët në zgjerim të aktiviteteve, ndaj unë ju premtoj ju se për sa kohë të votoni PD ju nuk do të keni ndonjëherë rritje taksash”. Duke folur për punësimin, Kryeministri tha se, “punësimi është dhe mbetet objektivi më madhor, qëllimi më final i çdo reforme që ndërmerr qeveria. Ne besojmë se çdo qytetar duhet të gëzojë të drejtën e punës, duhet që me mundin, djersën dhe energjinë e tij të ndërtojë të ardhmen, mirëqenien dhe jetesën e tij. Ne duam të krijojmë një mjedis që favorizon sa më shumë biznesin. Gjatë këtyre viteve ne kemi investuar në ndërtimin e rindërtimin e dhjetëra km rrugë, në ndërtimin e rindërtimin e 1300 shkollave, në ndërtimin dhe rindërtimin e mbi 300 sisteme ujësjellësish dhe 410 kanalizimesh në ndërtimin e qindra qendrave shëndetësore, spitaleve dhe objekteve te tjera publike. Vetëm sot në rrugën, autostradën që kalon në këto komuna punojnë mbi 1400 punëtorë, inxhinierë e teknikë, por këto janë të pamjaftueshme nuk mund të jetë shteti gjenerator kryesor i punës, pasi gjenerator kryesor në një vend të lirë është dhe do të mbetet biznesi. Ne ia kemi dalë që në kulmin e krizës nga 2009 e sot bizneset të rriten me 30 përqind dhe bizneset e mëdha të rriten dy herë e më shumë, u shpreh kryeministri. Ne, vijoi ai, ia kemi dalë nëpërmjet reformave të thella të thithim në 4 vitet e fundit të krizës investimet e huaj direkte më shume se kurrë në tërë historinë tonë. Ne kemi thithur katër vitet e fundit mbi 4 miliardë dollarë investime me të cilat janë krijuar dhjetëra mijëra vende. Ne kemi subvencionuar nga 2007 e deri më sot 42 mijë familje fermerësh për fermat e tyre, por ne kemi konstatuar se kjo që kemi bërë ne është 1/4 e asaj që kanë bërë vetë fermerët për fermat e tyre”, theksoi Berisha. Duke folur për subvencionimin e fermerëve, Berisha shtoi se, “ne do synojmë 3-4 fishimin e skemës së subvencionimeve për programet e mëdha kombëtare si ulliri arroret, drurin frutorë”. Kreu i qeverisë tha se, “një hap tjetër i madh është heqja e çdo lloj takse doganore për çdo lloj imputi që nevojitet në bujqësi, blegtori e peshkim. Me këto masa ne i japim një hapësirë të re biznesit në këto fusha. Janë punësuar mbi 600 mijë shqiptarë, ne do të rrisim minimumi me 30 mijë numrin e të punësuarve në bujqësi në këtë sektor, do të bëjmë gjithçka për marketingun e prodhimeve tona”, tha Berisha.

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›