E Shtunë, 31 Tetor 2026

Saranda, e harruara e qeverisë

Stefan Çipa/Kryetar i Bashkisë Sarandë

-Si të gjithë qytetet e botës, edhe Saranda ka njohur vitet e shkatërrimit galopant, të cilat përkojnë me tranzicionin demokratik, po aq sa edhe me periudhën e komunizmit. Nëse gjatë komunizmit, Saranda u la jashtë planit të restaurimeve, gatë tranzicionit rrënimi erdhi nëpërmjet dhunës dhe shkatërrimit të qëllimshëm. Gjithsesi, Saranda tashmë është e njohur si një destinacion dhe ofertë turistike e preferuar, që nuk mund të anashkalohet. Na vjen mirë kur Sarandën e quajnë “kryeqyteti veror” i Shqipërisë, pasi ajo pëlqehet për detin e pastër dhe klimën tipike mesdhetare. Por këto janë dy elemente që merren parasysh vetëm në momentin e parë, kur programohen pushimet verore. 

Impakt negativ në vizitueshmërinë e pikave të pelegrinazhit turistik këtë verë ka dhënë fakti që Manastiri i 40 Shenjtorëve nuk është ende i vizitueshëm. Për shkak të rrugës që kalohet me vështirësi nga automjetet e ulëta, kjo pikë, që lidhet edhe me emrin e vetë qytetit të Sarandës, nuk u përfshi as verën e kaluar në guidat turistike të ofruara. Rruga hyrëse për në Sarandë, ishte një investim i qeverisë, i mbetur në mes, pa ndriçim, pa gjelbërim, pa vijëzim. Është dashur që, me të ardhurat lokale, të bënim çfarë ishte e mundur për ta përmirësuar, por jo gjithçka. Infrastruktura rrugore nuk është aspak turistike, as në akse kryesorë, pasi e papërfunduar ka mbetur edhe lidhja e autostradës Qafëbotë-Krane me Sarandë. Kthesa e Metoqit ka qenë jo vetëm prezantimi më i keq me Sarandën, por edhe shkatërruese për çdo automjet që hynte dhe dilte që andej. Ndërhyrja në segmentin më problematik të Metoqit, u bë e mundur vetëm pas sezonit veror, me insistimin e Bashkisë. Është e dhimbshme, por edhe e pamohueshme, që infrastruktura turistike dhe turizmi i Sarandës mori një goditje të rëndë verën e vitit 2012. Kam qenë i detyruar që, nën kërcënimin e një krize të mundshme uji, t’i drejtohem me një letër të posaçme kryeministrit Berisha në muajin gusht, për të kërkuar mbështetjen e tij, në kushtet kur mbajtja peng e ndërmarrjes së ujësjellësit, na çoi në pragun e krizës së ujit në kulmin e sezonit. Ne si Bashki, megjithëse dihet që ende nuk kemi aksesin minimal në këtë ndërmarrje, megjithë fitimin e gjyqeve, bëmë çdo përpjekje për të shmangur krizën, duke vënë në shërbim autobotet, që çuan ujë falas për banorët e zonave më problematike. Por mësimeve që dalin nga kjo situatë po u kthehemi. Situata e vështirë në furznimin me ujë u provokua nga mbajtja peng e kësaj ndërmarrjeje, nga struktura vertikale të pushtetit, megjithë deklarimet e përsëritura për decentralizimin e saj dhe kalimin në varësi të pushtetit vendor. Vitin e kaluar, ndërprerjet e energjisë elektrike gjatë muajve korrik e gusht kanë qenë pothuajse të përditshme. Qëndrimi anti-Sarandë nga qeveria, duket dhe në mungesën e impiantit të pastrimit nga ujërat e ndotura. Impianti i Çukës ka mbetur një investim i papërfunduar, pasi impianti i realizuar nuk është lidhur me qytetin, në pritje të tenderit që nuk dihet kur do të bëhet, i cili ka të bëjë me dërgimin e ujërave të zeza në impiant, me vlerë 800 mijë euro. U hoq mbështetja financiare për Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit të Butrintit, pas një tradite 10-vjeçare të organizimit të tij në Teatrin antik të Butrintit. Po kështu, u hoq dorë nga Festivali i Orkestrave Frymore, që gjithashtu lindi si ekskluzivitet i Sarandës. Për periudhën 2007-2012 janë hapur e asfaltuar vetëm 2.5 km rrugë urbane, ose 0.5 km në vit. Po zvarritet prej më tepër se 10 vjet përfundimi i rrugës Nr. 1 në Lagjen Nr. 4, si dhe unaza mbi port, me vlerë të mbetur 40 milionë lekë e me gjatësi 0.6 km, megjithëse kemi aplikuar çdo vit. Prej 6 vjetësh zvarritet përfundimi i rrugës Nr. 5, në lotet 2 e 3 të saj. Trendi i fondeve ka ardhur vazhdimisht në rënie dhe këtë vit nuk është miratuar asnjë fond, duke e fshirë Sarandën nga harta e investimeve shtetërore.

 

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›