Ortodoksët, sot festa e Ujit të Bekuar
TIRANE- Për të gjithë besimtarët ortodoksë sot është dita e Ujit të bekuar. Mijëra qytetarë marrin pjesë në festimet e 6 janarit, në këtë ditë kur gjithë natyra shenjtërohet me Pagëzimin e Zotit Jisu Krisht. Kjo e kremte nis që në datën 5 janar, kur kryhen Shërbesat e Orëve të Mëdha, Mbrëmësores së Madhe me Liturgjinë e Vasilit të Madh si dhe të Bekimit të Madh të Ujit. Më datën 6 kryhet shërbesa e Litur-gjisë së Joan Gojartit, shërbesa e Bekimit të Madh të Ujit si edhe ceremonia e hedhjes së Kryqit. Brenda dhe jashtë, kishat mbushen me qindra besimtarë të ardhur në festën zotërore "të Dritave". Të mbledhur së bashku për të adhuruar Perëndinë, por edhe për të ndarë mesazhet e kësaj të kremteje që i jep vetë shërbesa e bekimit të ujit siç quhet ndryshe edhe Ajazma e Madhe, besimtarët krijojnë një atmosferë të vërtetë festive. Dita e Pagëzimit të Zotit tonë Jisu Krisht shënon edhe fillimin e misionit të tij shpëtimtar. Kjo festë quhet e dritës sepse Perëndia është drita dhe Ai u shfaq te njerëzit. Ai u shfaq duke zbuluar misterin e Trinisë së Shenjtë. Ati dëshmoi se Jisui nuk është njeri i thjeshtë, por Perëndi-njeri, ku në personin e Jisuit u bashkua natyra hyjnore me atë njerëzore. Dita e shfaqjes së Perëndisë Triadik prej së larti përbën edhe hapjen e rrugës për të gjithë drejt shpëtimit. Në pagëzimin e Tij, Krishti fillon të predikojë ardhjen e Mbretërisë së Perëndisë. Krishti nuk kishte nevojë të pagëzohej, por tregoi edhe ne se duhet të ecim në rrugën që Ai vetë e filloi. Pas shërbesës së Bekimit të ujit, besimtarët marrin ujin e bekuar, duke e përdorur atë për shërim shpirtëror e trupor, për familjen dhe të afërmit e tyre.
(s.g/BalkanWeb)
(s.g/BalkanWeb)