E Diel, 1 Nëntor 2026

Haradinaj, i gatshëm të ndërmjetësojë për konfliktin në Ugandë



Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka konfirmuar njoftimet rreth mundësisë së angazhimit të tij si ndërmjetësues në dialogun mes qeverisë së Ugandës dhe Forcave Demokratike Aleate në Ugandë (ADF). Në një komunikatë për opinion, thuhet se zoti Haradinaj preferon që për këtë çështje qeveria e Ugandës dhe Forcat Demokratike Aleate në Ugandë (ADF) të deklarohen, kurse ai vetë është i gatshëm që në këtë proces të ndihmojë për arritjen e paqes. Ai ka paralajmëruar se në një moment më të përshtatshëm do të japë sqarime më të hollësishme për këtë proces. Javën e kaluar është njoftuar se emri i Haradinajt është propozuar nga rebelët myslimanë në Ugandë, për të ndërmjetësuar në bisedimet paqësore me qeverinë në Kampala. Zëdhënësi i Forcave Demokratike Aleate, Asad Mukasa, tha se kanë zgjedhur Haradinajn për shkak të përvojës së tij. Emri i Haradinajt nuk është kundërshtuar as nga qeveria e Ugandës.

Kushti i KE-së për marrëdhëniet Maqedoni-BE, zgjedhjet demokratike
Kristina Nag, zëdhënësja e komisionerit për Zgjerim Oli Rehn, ka deklaruar se fushata e ardhshme në Maqedoni po ndiqet me vëmendje dhe kushti për zgjedhjet është që ato të jenë të lira dhe demokratike. “Komisioni Europian, përmes zyrës në Shkup, me shumë vëmendje do të përcjellë fushatën e ardhshme dhe vetë zgjedhjet në Maqedoni”, - ka deklaruar Nag. Ajo ka theksuar domosdoshmërinë që zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe vendore duhet të jenë të lira dhe demokratike. “Përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme dhe vetë zgjedhjet duhet të kalojnë në pajtim me standardet ndërkombëtare dhe të jenë të lira dhe demokratike. Ky është një kusht i domosdoshëm për zhvillimin normal të marrëdhënieve mes Bashkimit Europian dhe Maqedonisë”, - theksoi zëdhënësja Nag.

Kristofias: “Qiproja nuk do ta njohë Kosovën”

Presidenti qipriot, Demetris Kristofias, ka deklaruar në Beograd se Qiproja mbetet pas qëndrimit të saj dhe se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. “Qiproja nuk e ka njohur pavarësinë e shpallur njëanshmërisht të Kosovës dhe nuk do ta njohë dhe kjo është mbështetje e qeverisë së Qipros ndaj politikës së Serbisë, të cilën e mbështesim në arenën ndërkombëtare”, - tha ai në konferencën për gazetarë pas takimit me Presidentin e Serbisë, Boris Tadiç. Presidenti qipriot, i cili gjendet për vizitë dyditore në Serbi, ka thënë se shteti i tij mbështet mënyrën me të cilën Serbia lufton për të arritur qëllimin e vet të mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial, duke shtuar se bëhet fjalë për një çështje parimore. Në anën tjetër, Presidenti serb, Boris Tadiç, falënderoi homologun e tij qipriot për “qëndrimin parimor të Qipros në lidhje me çështjen e Kosovës”.

24 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›