Osmani:Të rinjtë e Dinamos, më tepër besim në vetvete
Portieri Alfred Osmani, ndien keqardhje për këtë moment të vështirë të bluve, por është i bindur që do ta kalojnë me sukses
Është afruar në momentet e fundit në merkaton verore në radhët e bluve kryeqytetas dhe tashmë, pavarësisht rezultateve të dobëta, ai është një nga pikat e pakta të forta që ka Dinamo e këtij sezoni. Bëhet fjalë për portierin Alfred Osmani, i cili më parë është aktivizuar në shumë skuadra të superligës, ndër to edhe Teuta dhe Tirana.
Tashmë për 28-vjeçarin ka nisur një sfidë e re me një skuadër me tradita, si Dinamo. I kontaktuar nga Sporti shqiptar, portieri i bluve analizon këtë ecuri aspak pozitive. Sipas tij, të rinjt janë lojtarë me kualitete dhe duhet të kenë më tepër besim në vetvete. Ndërkohë që disa nga futbollistët me eksperiencë kanë ndikuar pak në performancën e skuadrës, duke mos pasur gjendjen e duhur fizike.
Dinamo Në karrierën time kam provuar të vesh shumë fanella të skuadrave me emër. Teuta dhe Tirana janë skuadrat që mund ti quaj big, gjithashtu edhe Dinamo. Është nder të veshësh këtë uniformë. Por unë do të kisha pasur më qejf të luaja në kushte më të mira tek kjo skuadër. Aktualisht jemi mes 100 peripecish, por së bashku po bëjmë të pamundurën për të arritur sa më lart, edhe pse është e vështirë.
Rezultatet Skuadra e Dinamos nuk ka arritur rezultatet e duhura. Problemet janë të ndryshme. Për mendimin tim, në radhë të parë futbollistët e rinj duhet të kenë më besim në vetvete. Është më tepër një problem në mentalitet i tyre, sepse talenti su mungon në asnjë moment.
Gjithsesi, janë të rinj dhe besoj se do ta marrin veten, por le të shpresojmë për të mirën e të gjithëve, që diçka e tillë të arrihet në kohën e duhur. Ndërsa një tjetër problem mund të jetë edhe fakti që në gjirin tonë janë disa futbollistë me eksperiencë tepër të mirë, por që mund të kenë probleme të vogla fizike. Mendoj se pak a shumë edhe kjo gjë ndikon në performancën totale të skuadrës.
Pogradeci Më vjen shumë keq për të gjithë skuadrën, për stafin teknik dhe për tifozët tanë, kur më kujtohet ajo humbje në Pogradec. E kemi dominuar të gjithë takimin, por për fajin tonë në fund kemi humbur, duke pësuar një gol në minutat e fundit. Duhej të kishim qenë më konkretë në atë sfidë, edhe pse në futboll nuk flitet asnjëherë pas ndeshjes. Por është mirë që në analiza të gjejmë gabimet tona.
Shkumbini Është një ndeshje kundrejt një rivali direkt. Por kemi kohë deri në këtë sfidë, që të mendojmë mirë shumë gjëra. Patjetër që do të futemi vetëm për fitore në fushën e blertë. Nëse kemi besim tek forcat që disponojmë, patjetër që do të arrijmë një rezultat pozitiv,- përfundon idenë e tij portieri i Dinamos, Alfred Osmani.
Xhaxhi i shtrydh dinamovitët, norma në Qemal Stafa
Dje, futbollistët e Dinamos janë ndarë në dy grupe, duke zhvilluar seanca të ndryshme stërvitore. Njëri grup ka qëndruar në kompleks dhe tjetri është drejtuar në stadiumin Qemal Stafa. Më të vështirë e kanë pasur ditën ata që janë drejtuar drejt stadiumit kombëtar, sepse trajneri Faruk Sejdini dhe stafi i tij teknik kanë programuar normat për skuadrën e tyre.
Siç dihet, Dinamo është grumbulluar vetëm në momentet e fundit përpara startit të kampionatit dhe forma e disa futbollistëve lë vërtet për të dëshiruar. Diçka të tillë e ka menduar mirë Xhaxhi, i cili duket se u ka nxjerrë shkumën të tijve.
