Duro nuk duron më, tone të ashpra të tijve në analizë
Për rreth 15 minuta, sa ka zgjatur analiza e ndeshjes me Laç, trajneri nuk ka kursyer kritikat, madje e duke ngritur jo pak zërin
Me të drejtë, trajneri i Skënderbeut, Shpëtim Duro, u ka folur me tone të ashpra të tijve ditën e djeshme përpara se skuadra të startonte stërvitjen e parë të kësaj jave. Më shumë se i mërzitur nga kjo humbje e fundit, që njëkohësisht ishte e para për kampionët në këtë sezon, Duro ka analizuar humbjen në Laç në mënyrën e vet origjinale, përpara futbollistëve në aneksin e stadiumit.
Rreth 15 minuta ka zgjatur kjo analizë, ndërkohë që njëshi i pankinës ka ngritur zërin ndaj të tijve, sidomos për dy momentet e golave që pësoi ekipi ndaj kurbinase, që i kushtuan Skënderbeut edhe këtë humbje, duke e zbritur në vendin e dhjetë. Pavarësisht se loja e kampionëve ka qenë e mirë në këtë transfertë, është rezultati ai që flet qartë dhe kjo nuk i ka pëlqyer Duros, që nuk e kishte menduar as vetë që në 4 javët e para do të grumbullonte pak më shumë se një pikë për çdo ndeshje.
Shumë pak për një skuadër kampione dhe ajo që të çudit në këto rezultate të deritanishme është fakti që te Skënderbeu jo vetëm që ska asnjë problem brenda ekipit, por edhe emrat nuk mungojnë, madje është një nga klubet me korrekte edhe për sa i përket anës financiare.
Mungesat e golave duket se janë shqetësimi më i madh, por të mos harrojmë se në vijën e parë kampionët kanë emra të tillë, si Xhafaj, Muzaka, Kërçiku, pa thënë edhe Ribeiro, apo edhe Grboviç. Pra, një Skënderbe më shumë se kampion në letër për këtë superligë, por një skuadër që këtë nuk po e bën realitet në fushën e lojës.
Këto dy javë pushimi do të vlejnë shumë si dy javë relaksi dhe që do të ndikojnë në gjendjen psikologjike të ekipit, që duket se është një nga faktorët kryesorë që skuadra nuk po del te fitoret. Këto rezultate kanë shqetësuar edhe presidencën, ku Zeqo dhe donatorët presin sigurisht më shumë nga ky ekip që kanë ndërtuar për këtë sezon.
Këto rezultate po mundojnë edhe Duron, pasi diçka nuk shkon dhe mendohet që kryeqytetasi i pankinës korçare shumë shpejt të ndryshojë diçka te futbollistët, qoftë duke ndërhyrë edhe te gjendja e tyre psikologjike. Analiza e humbjes së fundit në Laç nuk ka zgjatur më shumë se 15 minuta ditën e djeshme, një analizë që ka pasur tone të ashpra dhe me të drejtë 16 lojtarët që kanë qenë në dispozicion të Duros ditën e djeshme, kanë ulur kokat dhe kanë premtuar se kthesa e kampionëve do të jetë e shpejtë.
Mungojnë 6 lojtarë në stërvitje
Jo pak, por 6 futbollistë të Skënderbeut kanë munguar ditën e djeshme në stërvitjen e parë të kësaj jave. Dy kroatët, Bratiç dhe Biskup, udhëtuan në drejtim të Kroacisë që pas ndeshjes me Laçin. Po ashtu, dje ka munguar edhe slloveni Almir Sulejmanoviç, i cili sot do të kthehet nga vendlindja.
Po sot do të kthehet edhe Altin Grboviç, lojtar që pas një periudhe të gjatë pushimi për shkak të një dëmtimi, duket se do të jetë gati në ndeshjen e javës së 5-të ndaj Kamzës. Dy lojtarët e tjerë kanë qenë Shehi dhe Muzaka, dy kuqezinjtë e vetëm që janë grumbulluar nga kombëtarja jonë.
Shkëmbi: Duhet të ishim në krye, jo me 5 pikë
Dihet që 5 pikë janë shumë pak për këtë Skënderbe. Ky ekip, këta lojtarë dhe ky klub, meritonte që të ishte në krye të superligës pas 4 javëve të para, por ja që realiteti është ndryshe. Ndoshta edhe fati nuk ka qenë me ne në këtë start të kësaj superlige, ndërkohë që një fat pozitiv për ne është ai se ekipet e tjera nuk janë shkëputur dhe të gjitha pa përjashtim kanë bërë hapa të gabuara.
Tani presim reagimin e ekipit tonë në fushë dhe ky do të jetë i shpejtë. Kështu është shprehur dje përballë gazetarëve kapiteni Bledi Shkëmbi, që më pas ka thënë: Vetëm në dy javët e para kemi pasur probleme në fushë, ndërkohë që në dy javët e tjera kemi dhënë maksimumin. Laçi, mos harroni, se është një fushë e vështirë për të gjitha skuadrat, ndërsa ne kemi zhvilluar transfertën më të mirë.
Në këtë transfertë të fundit kemi qenë pa fat. Ky është realiteti dhe ne nuk e meritonim humbjen në ndeshjen e fundit. Mbi gjithçka dua të them se Skënderbeu ka rritje në lojë nga ndeshja në ndeshje.
Xhafaj: Nuk flas për mediat deri në dhjetor!
Daniel Xhafaj në katër javët e para nuk ka dalë akoma te goli. Ndoshta vetë vlonjati, duke parë që akoma nuk po shënon, ka gjetur një mënyrë të tijin origjinale, duke deklaruar se nuk do të flasë për mediat të paktën deri në muajin dhjetor. Madje për këtë vendim që ka marrë, Xhafaj do ti drejtojë edhe një kërkesë drejtuesve të klubit dhe trajnerit Shpëtim Duro. Për të ardhur keq që një futbollist i tillë si Xhafaj do tu mungojë mediave për shumë kohë, ndërkohë që vendimi që ka marrë do të respektohet nga të gjithë. Ndoshta janë mediat ato që i kanë sjellë një fat të keq Xhafajt te Skënderbeu dhe qoftë e tillë, ndërkohë që pavarësisht se nuk ka shënuar asnjë gol deri tani, Xhafaj mbetet një nga sulmuesit më të mirë në superligën shqiptare dhe në Korçë të gjithë presin me padurim që ai të zhbllokohet sa më parë.
