E Shtunë, 31 Tetor 2026

Metroja, vendi i dashurive të pamundura

Metroja e Parisit ka nisur të funksionojë për herë të parë në vitin 1900, me rastin e Ekspozimit Universal. Aktualisht përbëhet nga 16 linja, me një gjatësi totale prej 200 kilometrash, të ndara nga 297 stacione. Për nga shtrirja është i treti rrjet në Evropën Perëndimore, pas metrove të Londrës e të Madridit. Por do të ishte e para në rast se do merreshin në konsideratë pesë linjat e "Réseau express régional" (rrjeti ekspres rajonal). Metroja parisiene ka qenë protagoniste e një pafundësie filmash e romanësh (deri tek i famshmi "Zazi në Metro" e Rajmond Kene dhe i realizuar nën drejtimin e kineastit Luis Male). Rasti i fundit, me tipare skandaloze, i përket librit të fotografit Zham Abelanet, i cili gjeti me vend të fotografonte rreth 50 vajza të zhveshura nëpër stacione, nëpër tunele e brenda trenave.

Të grumbulluara si rastësisht në të njëjtin vagon të lodhur të metrosë, ja tek shpërthen mes mesazheve të shkruara mureve teatri i madh i pasioneve të dyzuara e të zhveshura, i afsheve të nxehta dhe i dedikimeve diku të papërmbajtshme e diku shigjetuese, i narcizizmeve dhe poshtërimeve që shkaktohen kur sytë e njërit nuk i përgjigjen ngacmimit të lëshuar nga tjetri. Një pafundësi mesazhesh flasin për afshe që janë ndezur një çast, por që nuk kanë arritur të shpërthejnë, pasi secili prej udhëtarëve ka shkuar në rrugën e tij.

Po, po flasim për dashuritë e shpërthyera nëpër vagonët e stacionet e metrosë së Parisit, teatër i mbushur me zonja të praruara e kalorës romantikë, të cilëve as që u bën përshtypje era e rëndë dhe vapa e vagonëve, por aty mendojnë se gjejnë shpirtrat binjakë aq shumë të kërkuar.

Tashmë është kthyer në një ambient dashuror aq të dendur, kompleks e të organizuar, sa edhe një institucion aspak poetik si Ratp, shoqëria private që kontrollon këtë pjesë të nëndheshme e të lëvizshme të Parisit, ka vendosur t‘i vihet pas hap pas hapi, vagon pas vagoni e mur pas muri, duke i shfaqur pjesët më pikante të saj në një libërth të titulluar "Dashuri e lëvizshme".

Titull që qëndron në ekuilibër të plotë me sintezën poetike e romantike që përshkon gjithë këtë rrugëtim dhe studimit administrativ "fluksi i masave". Është një kampion, ku janë vendosur gjashtëqind "mesazhe në shishe", një thirrje dashurie, ku rrëfehen dhe kërkojnë vazhdimësinë rrufetë romantike të nëndheshme.

Në një vend si Franca, i cili ka eksploruar çdo milimetër të labirintit të dashurisë duke i dhuruar edhe një alfabet e një hartë, ndoshta ishte e vetmja formë e shfaqjes së ndjenjave e cila ende nuk qe lëvruar. Por, sigurisht njerëzit që shkruajnë sot nëpër muret e metrosë zor se janë në gjendje të dashurojnë si mbretërit e fisnikët e dikurshëm.

Takohen, afrohen me sho-shoqin, në çaste të caktuara edhe preken, largohen, me raste edhe e rigjejnë njëri-tjetrin, ndërsa herë të tjera harrohen përgjithnjë. Dhe në çastin e fundit duket se e lënë pas dore këtë labirint dashurish. E thënë më qartë, nuk ekziston asnjë mesazh përfundimtar, ai që të rrëfejë se përpjekja është mbyllur me triumf. Ndoshta, pasi nuk mund të ketë triumfe dashurie në një vend të tillë? Dashuria e metrosë, me shumë gjasa, është e detyruar të provojë veç dështimin të shënuar nga porta që mbyllen kundër vullnetit të dikujt, nga trena që respektojnë rregulla e ligje të tjera e jo ato të një apo dy individësh.

Çdo hap i parë në këto përpjekje përbëhet nga kontakti fillestar, nga një ngacmim, i cili duhet të jetë sa më i fortë të jetë e mundur. Është tipi i ndrojtur i linjës 14: "Gjashtë vendet e para te stacioni i Shën LLazarit. Ti ishe ulur në të djathtën time. U pamë disa herë, por nuk guxova të të flisja, pasi ti vazhdoje bisedën në celular, ndërsa unë kisha një takim urgjent... Zbrita në stacionin Bersi, por kam shumë dëshirë të të shoh sërish".

Apo rasti i të keqkuptuarit të së mërkurës në Shën Mande: "Zbrita te Nationi. Ti u ngrite, mendova se do bëje të njëjtën rrugë me mua. Për fat të keq më duket se ndërrove vend vetëm për të qenë më pranë dritares. Një puthje princeshë". Dhe ja si rrëfehet trishtimi në Muton Duverne: "Përse veprova kështu? Është e pamundur t‘i mbash sytë ngulur për plot njëzet minuta. Zakonisht jam e fortë në këtë pikë, por ti se ç‘më bëje të ndihesha e ndrojtur, kështu që ula sytë. Zbrita. Por duhet të kisha qëndruar. Tani po ha thonjtë që nuk të fola, por ika".

Por nuk mungojnë as kontaktet, një gjeografi e ndrojtur dhe e etshme supesh që preken si padashur. Nga dashnorët e metrosë konsiderohen si incidente fatlume. Për ata nuk ka vend as për shpërthime krenarie; ata nuk janë tjetër veç donzhuanë të ndrojtur, që e shfaqin veten jo përmes triumfeve, por përmes dështimeve.

Shembuj: "I kishim që të dy duart te mbajtësja metalike e trenit. Linja 7, drejtimi Mair d‘Ivri. Duart tona u prekën dhe mbetën praktikisht të ngjitura me njëra-tjetrën gjatë gjithë udhëtimit deri në Shatele. Mbaj mend se metroja ishte e mbushur plot e përplot. Qëndronim përballë njëri-tjetrit dhe hidhnim të dy vështrime shumë domethënëse. Nuk guxova të të them asnjë fjalë mes gjithë atyre njerëzve. Ti më pas zbrite...". "U ula ngjitur me ty. Një kontakt i vogël me supe. Mjaft i nxehtë. Nisa të shkruaj në bllok. Teksa mbylleshin dyert më shtynë fort drejt teje, madje të shkela këmbët. Çanta ime plot me perime u derdh në dysheme. Qeshëm dhe u pamë gjatë në sy, pa thënë asnjë fjalë".

Mizorë në shpejtësinë e saj, metroja ofron vetëm një shpresë, përsëritje e pandërprerë: "Do të doja të të rastisja gjatë një udhëtimi të tërë, jam i sigurt që do gjeja mënyrën të bëja të marroseshe pas meje".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›