E Diel, 1 Nëntor 2026

Sëmundjet e liderëve dhe fatet e popullit

Disa presidentë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë bërë përpjekje të mëdha për të fshehur të vërtetat e hidhura të shëndetit të tyre: sëmundjet fizike, apo edhe mendore. A është një mashtrim i tillë i nevojshëm, apo qoftë edhe i mundshëm në ditët tona?

Senatori John McCain, kandidati republikan për postin e Presidentit amerikan, publikoi këtë javë 1173 faqe të dosjes së tij shëndetësore. Një ngjarje e tillë në politikë është një risi. E ndërsa këto materiale janë bërë publike, problemet shëndetësore të figurave qeverisëse në Shtetet e Bashkuara janë bërë objekt studimi i një psikologu amerikan, që së fundi ka publikuar një libër me titull: "Liderët dhe ndjekësit e tyre në një botë të rrezikshme". Në të studiohen historitë e presidentëve dhe problemet e tyre shëndetësore. Më poshtë është një intervistë me autorin e librit, Dr. Jerrold Post.

John McCain ka qenë i hapur në lidhje me shëndetin e tij. A është kjo një shenjë ndryshimi në krahasim me hermetizimin që kanë treguar liderë të tjerë në të shkuarën për çështjet shëndetësore personale?

Veprimi i McCain vjen si rrjedhojë e një presioni shumë të madh të ushtruar ndaj kandidatëve për të qenë të hapur në lidhje me çështje, që dikur quheshin krejtësisht personale. Sot, që të marrësh një post të lartë drejtues, duhet të heqësh dorë nga mbajtja e sekreteve.

Por, pavarësisht kësaj, vitet e fundit jo të gjithë kandidatët kanë qenë kaq të hapur e transparentë. Mund të përmendim këtu senatorin Paul Tsongas, që kandidoi kundër Bill Klintonit për postin e kandidatit të demokratëve në zgjedhjet e vitit 1992.

Është e vërtetë. Gjendja e tij shëndetësore u manipulua fillimisht nga vetë senatori, i cili kishte një patologji të rëndë të kockës. Ai bërë një transplant të pjesës së gjurit dhe në kohën e kandidimit dukej se nuk kishte probleme. Më pas, pati edhe një kancer, që gjithashtu nuk vendosi ta bënte publik. Sot, një informacion i tillë nuk duhet dhe nuk mund të mbahet më i fshehtë. Nuk do të ishte e drejtë për zgjedhësit.

Njerëzit po kërkojnë më shumë informacion, por a janë ata në gjendje edhe të falin, duke qenë se ka mjekime më të mira sot dhe një kandidat me një sëmundje mund të shërohet gjatë rrugës?

Po dhe jo. Së pari duhet të dish se me çfarë lloj sëmundjeje ke të bësh. Ish-presidenti amerikan, Dwight D. Eisenhower, pati një goditje në zemër në vitin 1955, një operacion abdominal në vitin 1956 dhe një tjetër atak zemre në vitin 1957. Pas problemeve në zemër njerëzit u treguan më të dashur dhe të mirëkuptueshëm ndaj tij, sepse ata e dinin që goditja nuk ishte e fortë dhe se Presidenti do të rikuperohej shumë shpejt. Por, pas goditjes së dytë, kur u prek aparati i të folurit, për Presidentin u bë pak e vështirë mbajtja e fjalimeve dhe këtu gjërat nisën të çalonin. Njerëzit kërkojnë nga liderët e tyre mençuri, forcë dhe qartësi në të folur.

Po për kancerin?

Në Francë, ish-presidenti François Mitterrand, ishte një shembull shumë interesant. Kur mori detyrën e re në mandatin e parë, ai u betua për transparencë dhe për një drejtim të vendit në mënyrë shumë të hapur. Por, që në ditën e tij të parë të "mbretërimit" në vitin 1981, ai thirri mjekun e tij të ri presidencial dhe i tha se kanceri i prostatës ishte përhapur edhe në kocka. Në lidhje me shëndetin e tij, por edhe me çështje të tjera personale, Mitterran dha urdhër që ato të mbaheshin të fshehta dhe të konsideroheshin sekret shtetëror. Kështu, i sëmurë ai udhëhoqi vendin për 14 vjet rresht në dy mandate shtatëvjeçare presidenciale. Gjatë gjithë kohës vuante nga kanceri, metastazat e të cilit ishin përhapur në të gjithë trupin. Tani unë bëj pyetjen: Si ka mundësi që një sëmundje e tillë e rëndë të mos ketë ndikuar te marrja e vendimeve dhe drejtimi i shtetit? A është e mundur një gjë e tillë?

Po për sa i përket depresionit?

Depresioni është një çështje interesante. Në vitin 1924, menjëherë pas kandidimit të Calvin Coolidge për një mandat të dytë presidencial, djali i tij i preferuar, Calvin i riu, ndërsa po luante tenis zbathur në oborrin e Shtëpisë së Bardhë pësoi një infeksion. Tri ditë më vonë ai vdiq në moshën 16-vjeçare. Kjo ndodhi para shpikjes së antibiotikëve. Coolidge është konsideruar një President që qëndroi duarkryq në Shtëpinë e Bardhë, por kjo ka mundësi të ketë ndodhur për shkak të dhimbjes së madhe që ai përjetoi, e prej së cilës nuk u shkëput dot kurë. Kjo dhimbje duhet t‘i ketë shkaktuar një depresion të thellë e të rëndë, për të cilin thuhet se ai merrte mjaft ilaçe. Pas tragjedisë, Presidenti e kalonte pjesën më të madhe të ditës në gjumë. Flinte mbi 11 orë. Rendimenti i punës ra dukshëm. Nevrikosej shumë lehtësisht dhe nuk tregonte asnjë lloj interesi për çështjet që kishin të bënin me shtetin.

Sot, pjesa më e madhe e amerikanëve marrin vetë antidepresivë. A mos vallë kjo gjë duhet të na bëjë më të ndjeshëm dhe të mirëkuptueshëm ndaj të tjerëve, përfshi edhe liderët, pasi edhe ata janë njerëz?

Në vitin 1972, George McGovern, kandidati demokrat për Shtëpinë e Bardhë, zgjodhi senatorin Thomas Eagleton si zëvendësin e tij presidencial. Por kur doli në pah fakti se Eagleton i ishte nënshtruar elektroshokut vite më parë për të kuruar një depresion të rëndë, zhurma që pasoi lajmin ishte jashtëzakonisht e madhe. Njerëzit i tmerronte fakti i terapisë me elektroshok dhe mundësia e një lideri të lartë të sëmurë mendërisht. Madje, zgjedhësit e bënë kandidatin që të deklaronte se në rast vdekjeje gjatë mandatit, zëvendësi i tij nuk do të bëhej President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Çuditërisht, Eagleton u rikthye në Senat, ku bëri një punë shumë të mirë dhe la përshtypje mjaft të mira. Unë do të thosha se ne mund ta tolerojmë një histori depresioni në Senat, por jo në ofiqe më të larta, pasi asgjëje nuk i dihet.

Cilat janë disa nga rastet më flagrante të presidentëve që kanë fshehur problemet e tyre shëndetësore?

Grover Cleveland (që ishte President gjatë viteve 1885-1889 dhe 1893-1897) një mëngjes po lante dhëmbët, kur vuri re një gungë në gojë. Thirri menjëherë dentistin e tij, i cili i sugjeroi një operacion të vogël. Kirurgu e diagnostikoi, një karcinomë, pra kancer. Presidenti mendoi se në rast të daljes së lajmit mund të ishte shkaktuar në vend një krizë ekonomike. Kështu vendosi që gjithçka ta përfundonte natën. Në jahtin e tij presidencial gjatë një udhëtimi shumë të këndshëm në lumin Hudson, ai thirri gjithë ekipin mjekësor, i cili e kreu aty brenda operacionin. Ata hoqën gjithë pjesën e dëmtuar dhe e zëvendësuan me një protezë të brendshme. Njerëzit dyshuan pak teksa shihnin disa ndryshime të vogla në paraqitjen e Presidentit, por askush nuk mori vesh gjë. E vërteta doli në shesh vetëm 15 vjet, pas vdekjes së Presidentit. Marrim rastin e ish-presidentit Regan, vetëm disa vjet më parë. Pas atentatit që iu bë, ai u shtrua në spital dhe të gjithëve na kujtohet se sa të lumtur ishim teksa e shihnim shëndosh e mirë nga dritarja e spitalit. Presidenti ishte i buzëqeshur dhe ua bënte njerëzve me dorë. Askush nuk dyshoi gjë. Por, në të vërtetë, njerëzit nuk e dinin se Regani përmendej vetëm një orë në ditë. Edicionet informative të natës shfaqnin gjithmonë një President në humor të mirë, por, në fakt, bëhej fjalë për momente që zgjidheshin me shumë kujdes, pasi situata në të vërtetë ishte e rëndë. Ndryshe nga sa shihnin njerëzit. Kur Regani u rikthye në Shtëpinë e Bardhë, doli një libër në të cilin tregohej e vërteta e spitalit të Reganit. Gjatë ditëve të kaluara në të, ai ishte tërësisht në depresion dhe i shkatërruar shpirtërisht dhe mbi të gjitha nuk ishte as i kthjellët e as i mprehtë. Të mendosh se bëhet fjalë vetëm për fillimin e presidencës së Reganit, i cili qëndroi për dy mandate në Shtëpinë e Bardhë. Të gjithë këshilltarët e tij pas këtij incidenti patën frikë se Regani nuk do të ishte i aftë dhe nuk do ta kishte forcën e duhur për të qeverisur. Marrim një tjetër rast. Në vjeshtën e vitit 1919, Presidenti Wilson, gjatë një udhëtimi me tren në të gjithë vendin për të mbledhur mbështetje për idenë e tij të krijimit të Ligës së Kombeve, pësoi një atak në zemër. Njerëzit e dinin se ai ishte i sëmurë, por nuk e dinin deri në ç‘masë. Vetëm Edith Wilson, shefi i stafit dhe mjeku personal presidencial, lejoheshin ta takonin. Gjithçka mbahej sekret. Në këtë situatë të rëndë shëndetësore, kur mezi arrinte të merrte frymë, Presidenti vendoste për çështje të një rëndësie të madhe për kombin. Sot ne flasim për mundësinë e një gruaje në presidencën amerikane, por në fakt ne e kemi pasur një "Presidente" të tillë edhe më parë. Ajo ishte bashkëshortja e Wilsonit, Edith. Pasi i shoqi u shërua pjesërisht. Zonja Wilson tha: "Unë nuk e kuptoj se sa të vështirë e bëni ju burrat qeverisjen e një shteti. Unë nuk pata as vështirësinë më të vogël për të qeverisur Amerikën, kur im shoq ishte i sëmurë".

Mendoj se rasti i Franklin Roosvelt duhet të jetë shembulli më flagrant i një Presidenti që fshehu informacione të rëndësishme për shëndetin e tij?

Poliomieliti i tij ishte një fakt i njohur dhe ndihmoi në përmirësimin e imazhit të Presidentit; e bëri atë më njerëzor, madje edhe shtypi mbajti një qëndrim shumë të respektueshëm. Ekzistojnë vetëm dy, ose tre fotografi të tij në karrigen me rrota, në të cilën u vendos pas sëmundjes. Por ajo çka shumë njerëz nuk e dinë, është se sa i sëmurë ishte ai kur shkoi në takimin e Teheranit së bashku me Winston Churchill-in dhe Josef Stalinin në vitin 1943. Kur u kthye nga takimi ishte në gjendje mjaft të rëndë shëndetësore. Mjeku i Shtëpisë së Bardhë u alarmua nga situata tejet e rënduar e sëmundjes së Presidentit. Pas analizave të para ai u diagnostikua me probleme të rënda zemre, hipertension, bronshit akut dhe një sëmundje të moçme të pulmoneve. Në rreth të ngushtë u diskutua gjatë për sëmundjet e Presidentit dhe për mundësinë e bërjes publike të një fakti të tillë. Por, sigurisht, që asgjë nuk u bë e ditur në atë moment delikat. E vetmja deklaratë mjekësore që u bë ishte se Roosvelt, për moshën që kishte, gëzonte shëndet të mirë. Vite më vonë i biri i Presidentit, James Roosvelt, shkruan në kujtimet e tij, se i kishte kundërshtuar ashpër mjekët e të atit që i e lejuan të kandidonte për një mandat të katërt presidencial. Kandidimi ishte për Roosvelt-in certifikata e vdekjes. Në takimin e Jaltës në vitin 1945, mjeku i Kryeministrit të atëhershëm britanik, Churchill, tha se Presidenti amerikan kishte një çehre shumë të zbehtë dhe nuk dukej shumë i përqendruar në diskutime. Në fakt, jo shumë kohë pas takimit, Roosvelt ndërroi jetë, për shkak të një hemorragjie cerebrale të beftë.

Por, edhe Presidenti Kenedi ishte i sëmurë me të ashtuquajturën patologjia e Adisonit.

Po, por ne e mësuam një gjë të tillë vetën në faqet e një biografie të Presidentit të botuar në vitin 2003. Familja e Kenedit e ka mohuar dhe vazhdon ta mohojë një pretendim të tillë. Madje, ajo ka fshehur edhe faktin se Kenedi kishte kolit kronik, ulcerë, vuante nga osteoporozis dhe kishte edhe sëmundjen e Adisonit, që është me rrezikshmëri për jetën, pasi ka të bëjë me insuficensë të disa gjëndrave dhe që, ndër të tjera, ka nevojë për një injektim të përditshëm me steroide. Në vitin 1950, Kenedi vuante në mënyrë të vazhdueshme nga dhimbjet e shpinës, që vinin për shkak të problemeve me kolonën vertebrale. Në këtë periudhë nisi të merrte qetësues të fuqishëm si demerol dhe metadon. Edhe për të fjetur merrte qetësues dhe mbi të gjitha pinte shumë tableta për të mbytur ankthin. Gjithsej, sipas biografisë së mësipërme, Presidenti pinte 8 tableta të ndryshme në ditë. Ka disa që thonë se ai përdorte herë pas here edhe amfetaminën. Para konferencave të shtypit ai shpesh bënte injeksione në kurriz për të mbajtur në qetësi dhimbjen. Gjatë gjithë karrierës së tij ai i mbajti fshehur të gjitha problemet e mëdha që kishte me shëndetin.

Nëse kandidati republikan, John McCain, do të zgjidhet President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në moshën 72-vjeçare, a mund të themi se ai mund ta përballojë gjithë peshën e një pozicioni të tillë?

Përgjithësimi i parë që duhet të bëjmë është që të mos përgjithësojmë. Ka individë të veçantë, krijimtaria dhe energjia e të cilëve funksionon normalisht si në rini deri në moshën 90- vjeçare. Konrad Adenaueri (që mbajti postin e Kancelarit gjerman deri në moshën 87-vjeçare) ishte njëri prej tyre. Ndaj nuk mund të paragjykosh, por për sa i përket transparencës ajo duhet të jetë e plotë. Është e drejta e njerëzve të dinë se kush po i qeveris.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›