E Diel, 1 Nëntor 2026

Otranto, Pivetti: Thashë, "Shqiptarët në fund të detit", më vjen keq!

VLORË-Familjarë të viktimave që u mbytën bashkë me Anijen Kateri i Radës 14 vjet më parë në Otranto kanë protestuar sot kundër vizitës që po realizon në Vlorë, ish-kryetare e parlamentit italian, Irene Pivetti. Ish-kryeparlamentarja italiane, sot nga Vlora u ka kërkuar familjeve te viktimave falje publike për deklaratën e bërë 14 vjet më parë

E ndodhur në Vlorë në një takim me prefektin Eduart Vecani, Pivetti është gjendur para kontestimit të familjarëve të viktimave ndaj vizitës së saj. “Ju jeni e padëshiruar, për shkakun tuaj ndodhi tragjedia e Otrantos”, u shpreh Pushime Cala, përfaqësuese e familjarëve të viktimave të Otrantos.
Ajo i kujtoi Pivettit deklaratën që ka bërë në senatin italian. “Ti hedhim shqiptarët në fund te detit, të mos i lejojmë t'i afrohen brigjeve tona”. 

“Sot keni helmuar tokën shqiptare. Ju keni kërkuar shqiptarët në fund të detit. Dhe pas 3 vitesh, Kateri i Radës përfundoi në fund të detit. Sot na keni helmuar njësoj si atë ditë që u mbyt anija. Kemi shumë shqiptarë ende në fund të detit. Ne kemi 15 vjet që kërkojmë të drejtën tonë, por gjyqe e gjyqe dhe asgjë. Jeni talluar kaq vite me ne. Nese jeni anti-shqiptare pse shkelni ne token shqiptare, edhe pse jeni te ftuar nga te tjere, se ka dhe shume italiane te nderuar. Por nese jeni e tille, përse i urreni kaq shumë shqiptarët", u shpreh Cala me lot ne sy.

Pivetti shprehu keqardhjen per tragjedine e Otrantos, por tha se ajo si person nuk i urren shqiptaret, vetem se deklarata u be ne nje kohe kur 2 vendet kishin marrdhenie shume te tensionuara. “Kërkoj falje për deklaratat e nxituara. Mua më vjen keq, shumë keq për atë cka u ndodhi familjeve tuaja dhe juve personalisht. Nuk mund të qëndrosh indiferente ndaj një dhimbjeje të tillë, si në Shqipëri, Itali apo vende të tjera. Une jam e nderuar për këtë takim, sepse ashtu sic kam bërë dhe herë të tjera, dua të shpreh dhimbjen dhe solidaritetin ndaj popullit shqiptar sot, për atë ditë. 20 vjet më parë marrdhëniet mes dy vendeve kanë qënë të ndryshme, kishte një klime e tension të lartë politik dhe jo vetëm politik. Nga ana ime dhe e shumë të tjerëve nuk ka patur një nënkuptim agresiv, por ka qënë një pakënaqësi. Nuk ka patur asnjë urrejte nga an ime për shqiptarët, ishte thjesht një tension i fortë politik mes dy vendeve. besoj se cdo shqiptar me vullnet te mire do e kuptonte kete””, u shpreh Pivetti në takimin me zonjen Cala.
Ne fund ish-kryeparlamentarja italiane i kerkoi zonjes Cala nje shtrengim duarsh, gje qe nuk u pranua nga gruaja shqiptare. 

Tragjedia
Më 28 mars të vitti 2011 u mbushen plot 14 vjet nga tragjedia e Otrantos, ku anija shqiptare Kateri i Radës, u mbyt në mënyrë të qëllimshme nga anija “Sibilla”.
Vitin e kaluar, pikërisht në 13 vjetorin e kësaj tragjedie, Neës24 dhe Gazeta Shqiptare sollën pamjet tragjike të përplasjes së Sibillës me Katerin e Radës, e po ashtu, edhe pamje filmike të anijes shqiptare në brigjet italiane, në zonën Forte a Mare.
Në trazirat e marsit të vitit 1997, 120 shqiptarë, filluan rrugëtimin që nuk do t’i conte sërish në tokë, me anijen shqiptare Kateri i Radës. Nga pamjet filmike siguruar nga prokuroria italiane, shihej qartë anija “Sibilla” një flotëanije luftarake italiane, që i ka rënë në mes anijes së vogël shqiptare. Përfundimi i kësaj tragjedie ishte i dhimbshëm: u gjetën në det 81 kufoma, ndërsa 24 trupa nuk u gjendën asnjëherë. Tragjedia e Otrantos është cilësuar si ngjarja më e rëndë që preku shumë familje vlonjate dhe nga qytete të tjera të vendit.

Ndërkohë ecejaket e shqiptarëve nga Shqipëria në Itali për të gjetur fajtorin e kësaj tragjedie, kanë qenë dëshpëruese. Procesi për këtë tragjedi, vijon prej 14 vitesh. Gjykata e Apelit në Itali ka fajësuar shqiptarët për tragjedinë, por çështja ende nuk ka përfunduar.
Ndërkohë, 16 nga të mbijetuarit e kësaj tragjedie i janë drejtuar Gjykatës së Strasburgut. Një nga të mbijetuarit, Krenar Xhavara, thotë se, "në këtë proces po gjykohet njëkohësisht penalizmi i qeverisë italiane si përgjegjëse dhe autore e kësaj tragjedie, si dhe aspekti civil, që lidhet me dëmshpërblimin e atyre që u mbytën”.

(d.bonollari/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: ‘Otranto’, Pivetti: Falje për deklaratat anti-shqiptare, u nxitova

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›