E Diel, 1 Nëntor 2026

Ovrebo kërkon falje, por Abete telefonon Platininë

MYNIH- Pasditen e së enjtes, arbitri i ndeshjes Bajern-Fiorentina, Tom Hening Ovrebo, ka bërë “mea culpa” për golin në pozicion jashtë-loje të shënuar nga Miroslav Klose dhe që i dha fitoren 2-1 skuadrës gjermane. “Nga imazhet dhe komentet e marra duhet ta kuptonim se ishte pozicion jashtë-loje, - ka thënë ai për një televizion norvegjez. – Në fushë nuk ishte kështu, pasi nuk e kuptuam dhe prandaj lejova golin”, shtoi Ovrebo. E ndërkohë, presidenti i Federatës Italiane të Futbollit Xhankarlo Abete, ka folur në telefon me presidentin e UEFA-s Mishel Platini: “është bërë një gabim shumë i rëndë, pasi nuk bëhet fjalë për centimetra, por për metra, - deklaroi ai. – Ky gabim që vendosi rezultatin dhe tregoi se arbitri nuk ishte i aftë”.
Shtypi
Por, gjyqtari i ndeshjes Bajern-Fiorentina është kritikuar në mënyrën më të ashpër edhe nga shtypi evropian, madje akuzat nuk kanë munguar as në Gjermani. “Një gol skandaloz i jep fitoren”, nënvizojnë mediat gjermane, duke përmendur gabimin e anësorit Nebben në rastin e folit të Miroslav Kloses në minutën e 88-të. “është një nga gabimet më të pabesueshme të Ovrebos”, shkruan “Sport Bild”, duke kujtuar se gjyqtari norvegjez ishte ai që nxorri jashtë çelsin, në gjysmëfinalen ndaj Barcelonës një vit më parë. “Një gol në pozicion të dukshëm jashtë loje i Kloses, i jep fitoren 2-1 Bajernin”, është titulli i “Stern”, që nënvizon paraqitjen mjaft të mirë të Fiorentinës. Për bavarezët e Van Gal tashmë fitoret radhazi shkojnë në 13, por kjo gazetë pranon ndihmën e dhënë nga treshja arbitrale. Tre janë gabimet e Ovrebos: kartoni i kuq për Gobin, mosndëshkimi me të kuqe i Kloses dhe lejimi i golit në një pozicion dukshëm ofsajti, megjithëse në këtë rast pjesa kryesore e fajit i shkon anësorit Nebben. “Rp-online” shkruan se fitorja e Bajernit “ishte me shumë fat”. Ndërkohë, në Francë kritikat kanë qenë më të buta dhe gazetat janë përqendruar sidomos te paraqitja e Frenk Riberi.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›