P R O J E K T L I GJ PËR ADMINISTRATËN GJYQËSORE
P R O J E K T L I GJ
PËR
ADMINISTRATËN GJYQËSORE
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N DO S I :
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi
Ky ligj përcakton mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të administratës gjyqësore, kushtet dhe procedurat e pranimit në punë, mënyrën e fillimit dhe të mbarimit të marrëdhënieve të punës, zhvillimin e karrierës, si dhe garantimin e të drejtave e përcaktimin e detyrimeve të punonjësve të kësaj administrate.
Neni 2
Parim i përgjithshëm
Administrata gjyqësore është e ndërtuar dhe vepron në bazë të parimeve të profesionalizmit, të paanësisë, të transparencës, të shërbimit ndaj publikut, të vazhdimësisë së karrierës, të përgjegjësisë dhe korrektësisë në zbatimin e legjislacionit në fuqi.
Neni 3
Misioni i administratës gjyqësore
Administrata gjyqësore, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, ushtron funksione për të mbështetur gjykatat e shkallëve të para dhe të apelit, për realizimin me efektivitet të misionit të tyre, për dhënien e drejtësisë.
KREU II
DREJTIMI I ADMINISTRATËS GJYQËSORE
Neni 4
Ministri i Drejtësisë
1. Ministri i Drejtësisë përcakton drejtimet kryesore të organizimit dhe të funksionimit të administratës gjyqësore, në përputhje me parimet e përgjithshme, të përcaktuara në këtë ligj.
2. Ministri i Drejtësisë ushtron këto kompetenca:
a) Kontrollon veprimtarinë e administratës gjyqësore për zbatimin e akteve, ligjore dhe nënligjore.
b) Kujdeset dhe mbështet veprimtaritë për përgatitjen, aftësimin dhe specializimin e personelit të administratës gjyqësore.
c) Harton e zbaton politika dhe programe, për rritjen e efiçencës në administratën gjyqësore.
ç) Miraton, me urdhër, përshkrimin, klasifikimin dhe vlerësimin e pozicioneve të punës, procedurën e konkurrimit, rekrutimin, ngritjen në detyrë, lëvizjen paralele, masat disiplinore dhe vlerësimin e rezultateve në punë të personelit të administratës gjyqësore, pas këshillimit me kryetarët e gjykatave e me kancelarët.
d) Miraton rregulloren për veprimtarinë e administratës gjyqësore për pranimin, mbajtjen dhe administrimin e akteve procedurale, të provave, materiale dhe shkresore, të paraqitura pranë gjykatave, pasi të ketë marrë mendimin e kryetarëve e të kancelarëve të gjykatave.
dh) Merr masa dhe bashkëpunon me Fakultetin e Drejtësisë, Shkollën e Magjistraturës dhe institucione te tjera, vendase ose të huaja, për çështje të përgatitjes profesionale, aftësimit dhe specializimit të administratës gjyqësore.
e) Vendos për ankimet për veprimtarinë e administratës gjyqësore.
3. Struktura dhe organika e administratës gjyqësore, për çdo gjykatë të shkallës së parë dhe të apelit, përcaktohen më urdhër të ministrit të Drejtësisë.
Neni 5
Kryetari i gjykatës
1. Kryetari i gjykatës vë në dijeni ministrin e Drejtësisë për çështje të drejtimit administrativ të gjykatës.
2. Në rastet kur kryetari i gjykatës vëren mospërmbushje të detyrave të administratës gjyqësore, i propozon kancelarit marrjen e masave përkatëse disiplinore. Nëse çështja nuk zgjidhet, kryetari i gjykatës i parashtron kërkesën ministrit të Drejtësisë, i cili duhet të përgjigjet brenda 10 ditësh.
Neni 6
Kancelari i gjykatës
1. Kancelari është, në gjykatën, ku ushtron funksionet, struktura më e lartë e administratës gjyqësore i cili drejton, organizon dhe përgjigjet për veprimtarinë e përditshme të saj.
2. Kancelari ushtron këto kompetenca:
a) Merr masa dhe kujdeset për krijimin e kushteve të nevojshme për mbështetjen dhe realizimin e gjykimit, pa ndërhyrje në veprimtarinë procedurale dhe pavarësinë e gjyqtarëve.
b) Merr masat e nevojshme dhe urdhëron strukturat përkatëse administrative, sipas kërkesave të gjyqtarëve, për plotësimin e nevojave të tyre, në funksion të dhënies së drejtësisë.
c) Administron marrëdhëniet e gjykatës me publikun dhe median.
ç) Mbikëqyr dhe drejton procesin e asgjësimit të provave materiale.
d) Kujdeset për krijimin e kushteve lehtësuese për marrjen e informacionit nga publiku, në mënyrë të saktë, të plotë, në formë të përshtatshme dhe të shpejtë.
dh) Merr masa për mbajtjen dhe përpunimin, në baza, shkencore e arkivore, të dokumentacionit administrativ.
e) Kujdeset dhe administron pasurinë, e luajtshme dhe të paluajtshme, të ndërtesës së gjykatës.
ë) Kujdeset dhe merr masa për sigurimin e ndërtesës së gjykatës.
f) Në bashkëpunim me kryetarin e degës së buxhetit, harton buxhetin dhe e paraqet për miratim, sipas legjislacionit për buxhetin gjyqësor, si dhe kontrollon e administron zbatimin e buxhetit të gjykatës.
KREU III
TË DREJTAT DHE DETYRAT E PUNONJËSIT TË ADMINISTRATËS GJYQËSORE
Neni 7
Statusi i administratës gjyqësore
1. Kancelari i gjykatës emërohet dhe shkarkohet nga ministri i Drejtësisë, sipas procedurave të parashikuara në ligjin nr.9877, datë 18.2.2008, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor”.
2. Punonjësit e tjerë të administratës gjyqësore emërohen dhe gëzojnë të drejtat e përmbushin detyrat e parashikuara në ligjin nr.8549, datë 11.11.1999, “Statusi i nëpunësit civil”. Kancelari i gjykatës është eprori i drejtpërdrejtë, në kuptim të ligjit “Statusi i nëpunësit civil”.
3. Personeli i shërbimeve ndihmëse emërohet nga kancelari dhe gëzon të drejtat e përmbush detyrimet e parashikuara në Kodin e Punës.
4. Trajtimi financiar i punonjësve të administratës gjyqësore përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave dhe është i njëjtë me atë të administratës së Ministrisë së Drejtësisë.
Neni 8
Rregullat e etikës së punonjësve
1. Rregullat dhe parimet e përgjithshme të etikës, konflikti i interesave, veprimtaria e jashtme, përfitimet dhe detyrimet e tjera, gjatë dhe pas periudhës së punësimit, të parashikuara për nëpunësin civil, në ligjin nr.9131, datë 8.9.2003, “Për rregullat e etikës në administratën publike”, zbatohen edhe për punonjësin e administratës gjyqësore.
2. Kancelari i gjykatës ushtron të gjitha funksionet e përcaktuara në ligjin e sipërpërmendur, për drejtorin e personelit dhe eprorin direkt.
KREU III
ORGANIZIMI DHE FUNKSIONET E ADMINISTRATËS GJYQËSORE
Neni 9
Struktura e administratës gjyqësore
Struktura e administratës gjyqësore, në gjykatat e shkallës së parë dhe të apelit, përbëhet nga:
a) Kancelari;
b) Sekretaria gjyqësore;
c) Sekretari i seancës;
ç) Sektori i buxhetit;
d) Sektori i marrëdhënieve me publikun dhe median;
dh) Sektori i arkivit;
e) Sektori i teknologjisë së informacionit;
ë) Sektori i administratës ndihmëse;
f) Nëpunësi gjyqësor.
Neni 10
Kompetenca të tjera të kancelarit
Kancelari, përveç kompetencave, që ka në përputhje me ligjin nr.9877, datë 18.2.2008, ushtron edhe detyra të tjera, sipas këtij ligji dhe akteve nënligjore, të nxjerra në zbatim të tij.
Neni 11
Sekretari gjyqësor
1. Sekretari gjyqësor ushtron detyra të veçanta, të përcaktuara sipas fushave, civile dhe penale, nën kujdesin e kancelarit të gjykatës.
2. Ministri i Drejtësisë përcakton, me rregullore, detyrat dhe procedurat e hollësishme, për realizimin e detyrave të sekretarit gjyqësor, sipas fushave, civile dhe penale.
Neni 12
Sekretari i seancës
1. Sekretari i seancës përmbush detyrat procedurale në përputhje me dispozitat përkatëse të Kodit të Procedurës Civile dhe Kodit të Procedurës Penale.
2. Përveç detyrave procedurale, sekretari i seancës kryen edhe detyra të tjera, me karakter administrativ, që miratohen me urdhër të ministrit të Drejtësisë.
Neni 13
Sektori i buxhetit të gjykatës
Sektori i buxhetit të gjykatës ka këto detyra:
a) Bashkëpunon me kancelarin për hartimin e projektbuxhetit të gjykatës përkatëse, për vitin pasardhës;
b) Ndjek zbatimin e buxhetit në gjykatë, në përputhje me ligjin vjetor të buxhetit, si dhe me urdhërat e udhëzimet e ministrit të Financave, menaxhon dhe administron probleme të ndryshme, që dalin gjatë zbatimit të tij;
c) Harton situacione për shpenzimet faktike, që kryen gjykata, në fund të çdo 3-mujori, dhe rakordon me zyrën e thesarit.
ç) Ushtron detyra të tjera, sipas ligjit “Për kontabilitetin”.
dh) Mban dhe ndjek llogarinë e të ardhurave, që realizon gjykata, nga shërbimet, që kryen për të tretët.
e) Në fund të çdo viti, drejton inventarizimin e pasurisë së gjykatës, nëpërmjet një komisioni, i cili miratohet nga kancelari i gjykatës.
ë) Mban regjistrin e provave materiale, ku shënohen të gjitha provat e paraqitura nga prokuroria, së bashku me fashikullin e gjykimit, sipas numrit rendor të kërkesës për gjykim, të regjistruar, dhe emrat e të pandehurve, si dhe faktin se çfarë u bë me ta, pasi vendimi ka marrë formë të prerë.
Neni 14
Sektori i marrëdhënieve me publikun dhe median
Sektori i marrëdhënieve me publikun dhe median kujdeset për informimin e publikut e të medias për procedurat dhe afatet e veprimtarisë së gjykatës, si dhe kryen detyra të tjera, të përcaktuara nga aktet, ligjore dhe nënligjore, në fuqi.
Neni 15
Sektori i arkivës
1. Në sektorin e arkivit mbahen dhe administrohen dokumentet e gjykatës, të cilat përbëhen nga dosje gjyqësore, civile dhe penale, vendimet e së cilës kanë marrë formë të prerë, dhe dokumentacioni i veprimtarisë administrative të gjykatës.
2. Sektori i arkivit i ushtron detyrat në përputhje me ligjet dhe aktet nënligjore, në fuqi, në fushën e arkivave në Republikën e Shqipërisë.
Neni 16
Sektori i teknologjisë së informacionit
Sektori i teknologjise së informacionit merr masa dhe kujdeset për mirëmbajtjen dhe administrimin e sistemit kompjuterik të gjykatave.
Neni 17
Nëpunësi gjyqësor
Nëpunësi gjyqësor ushtron detyrat e përcaktuara në Kodin e Procedurës Civile dhe Kodin e Procedurës Penale, si dhe detyra të tjera, të përcaktuara me akte nënligjore, në zbatim të këtij ligji.
Neni 18
Sektori i administratës ndihmëse
Sektori i administratës ndihmëse, në përputhje me urdhërat e kancelarit të gjykatës, mbështet veprimtarinë e gjykatës dhe të administratës gjyqësore.
KREU IV
DISPOZITA TË FUNDIT
Neni 19
Aktet nënligjore
Ngarkohet ministri i Drejtësisë të nxjerrë akte nënligjore, në zbatim të neneve 4, 10, 11, 12 e 17, të këtij ligji.
Neni 20
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 3 muaj pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe efektet financiare fillojnë më 1 janar 2009.
K R Y E T A R I
JOZEFINA TOPALLI