PAD, bashkëpunim parazgjedhor me të tjera forca politike
Krijimi i polit të tretë politik është tashmë një çështje që ndodhet më pranë realitetit. Partia Aleanca Demokratike, megjithëse tashmë është një këmbë larg Partisë Demokratike, ka lënë të hapur mundësinë e krijimit të polit të tretë politik, por është treguar e hapur gjithashtu për të bashkëpunuar me të gjitha forcat politike. Partia Aleanca Demokratike, pas mbledhjes së Asamblesë Kombëtare, ka ripohuar besimin për të qenë një forcë aktive dhe më e fuqishme në Parlamentin e pas vitit 2009. Ka qenë kjo pika kryesore për të cilën asambleja ka diskutuar mbi alternativat e mundshme për pozicionimin e PAD-së në periudhën paraelektorale. Pavarësisht se drejtuesit e Aleancës Demokratike e kanë quajtur veten më pranë të majtës për integrim, ata kanë lënë edhe hapësira për bashkëpunime me parti të tjera, ndër të cilat edhe ajo demokratike. Në emër të PAD-së, nënkryetari Arben Demeti hodhi poshtë çdo fjalë se kjo parti ka braktisur opozitën. "Ne jemi të hapur për të mirëpritur në PAD të gjithë ata intelektualë që nuk e gjejnë veten te forcat e mëdha politike", theksoi Demeti. Partia Aleanca Demokratike është e hapur për bashkëpunim parazgjedhor me forca të tjera politike, me objektivin që të jetë një parti parlamentare në Parlamentin e ardhshëm shqiptar të pas zgjedhjeve të vitit 2009. Ky është vendimi i Asamblesë së PAD-së, i cili u bë publik nga nënkryetari i saj, Arben Demeti. "PAD është e hapur për bashkëpunim parazgjedhor edhe me parti të tjera politike, me synimin për të qenë pjesë e koalicionit fitues", tha ai. Sipas tij, "për arritjen e këtij objektivi PAD do të bashkëpunojë me parti të tjera të spektrit politik shqiptar, duke e konsideruar të natyrshme pjesëmarrjen edhe në një koalicion të polit të tretë, për të kontribuar në balancimin e politikës shqiptare".