Gurakuqi kërkon 1 milion euro dëmshpërblim nga Ndoka
Vazhdon lufta mes Anton Gurakuqit dhe Nard Ndokës. Akuzat e njëpasnjëshme në drejtim të njëri-tjetrit kanë detyruar Gurakuqin të dërgojë në gjykatë Nard Ndokën, duke i kërkuar këtij të fundit 1 milion euro. "Prej disa kohësh Ndoka më akuzon mua personalisht se po ndërtoj një pallat pa leje në qytetin e Shkodrës, një deklaratë kjo e cila jo vetëm është shpifje, por ka cenuar edhe imazhin tim, ka dëmtuar ndjeshëm të ardhurat e mia. Disponohen të gjitha dokumentet, të cilat mund të kontrollohen nga kushdo që është i interesuar, se pallati është me leje dhe është ndërtuar sipas parametrave të përcaktuara", citohet në deklaratën për shtyp të PDK-së. "Në këto kushte jam i detyruar t‘i drejtohem gjykatës për të kërkuar dëmshpërblimin financiar prej 1 milion eurosh nga zoti Ndoka, i cili me shpifjet e tij ka dëmtuar imazhin e objektit dhe për rrjedhojë ka ulur shitjet", u shpreh Gurakuqi. Sipas tij, "personi Ndoka, që është ‘Ndotje‘ për politikën shqiptare, sot na flet për moral, na flet për dinjitet njerëzor, na shfaqet me një fytyrë engjëllore, ndërsa fsheh fytyrën e vërtetë, atë të Djallit. Nëse sot ka një person i cili duhet të skuqet kur flet për moral, ky është Ndoka, pasi për të fjala moral është një fjalë e huaj, në të gjitha aspektet". Gurakuqi shtoi se morali nuk mund të bëhet nga të pamoralshmit dhe leksionet e moralit nuk mund të vijnë nga imoralët. "Nëse imoraliteti do të kishte njësi matëse, atëherë ajo do të kishte emrin Nard Ndoka", tha ai. Gurakuqi ka sulmuar edhe punën e Ndokës gjatë kohës kur ai ishte në pozicionin e ministrit të Shëndetësisë. "Ndotja politike duhet të gjejë kurajën dhe të sqarojë opinionin publik për të gjitha akuzat që janë ngritur në media, janë artikuluar për të, në lidhje me abuzimet në sistemin e shëndetësisë gjatë kohës që, për fatin tonë të keq, ai ka qenë ministër", tha Gurakuqi. Sipas tij, nëse akuzat rezultojnë të vërteta, atëherë Ndoka nuk e ka vendin në politikë, por duhet të shkojë atje ku përfundojnë shkelësit e ligjit dhe abuzuesit e fondeve publike.