PAD braktis zyrtarisht koalicionin me PS: Vota për Edi Ramën, është votë e shkuar dëm

Partia Aleanca Demokratike duket se ka braktisur përfundimisht koalicionit e majtë të drejtuar nga kryesocialisti Edi Rama duke lënë kësisoj të hapur mundësinë e bashkëpunimit me Partinë Demokratike, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2009. E pozicionuar zyrtarisht që prej 1997 në koalicion me Partinë Socialiste, PAD ka sqaruar dje pozicionin e saj përfundimtar. Nënkryetari i aleancistëve, Arben Demeti, u shpreh se PAD e sheh veten gjithnjë e më larg politikes së Edi Ramës. Demeti u shpreh gjithashtu se objektiv i partisë se tij është që në zgjedhje të prezantohet si një parti parlamentare. Por ai shton se “ne shohim si alternativen e parë dhe të arsyeshme polin e tretë, me të cilët tashmë është konsoliduar një bashkëpunim opozitar, siç janë LSI, PDA, PS91 por edhe parti te tjera”. ”Në funksion të qëllimit të saj si parti parlamentare e lë të hapur bashkëpunimin brenda kornizave të moralit politik me të gjitha partitë e tjera”, shtoi Demeti. Duke shprehur keqardhje për drejtimin e PS nga lidershipi i kësaj partie, Edi Rama, Demeti përjashtoi një bashkëpunim të ardhshëm PS-PAD. “Shpreh keqardhjen e sinqerte, e përsëris të sinqertë për çfarë ka ndodhur me PS. Na vjen shumë keq që PS ka pësuar këtë transformim për shkak të lidershipit të saj, Edi Rama. Lidershipi s’ka asnjë lidhje as shpirtërorë ideologjike, morale për atë që çfarë përfaqëson PS”, tha ai duke këshilluar zgjedhësit shqiptarë se vota për lidershipin e PS, është votë e hedhur dëm. “Ndaj kjo votë duhet shmangur dhe të votohet për PAD”, përfundoi ai. ...