E Diel, 1 Nëntor 2026

Gurakuqi: Ndoka ka shpifur, kërkoj dëmshpërblim prej 1 milion euro

Kryetari i Partisë Demokristiane, Anton Gurakuqi ka reaguar dje lidhur me akuzat e deputetit Nard Ndoka, të shprehura ditët e fundit në median e shkruar për një pallat të ndërtuar në qytetin e Shkodrës, për të cilin ky i fundit pretendon se është pa leje. Gurakuqi e konsideroi këtë deklaratë si një shpifje dashakeqe. “Prej disa kohësh opinioni publik po furnizohet me lajme të pavërteta dhe krejtësisht dashakeqëse ndaj figurës sime nga zoti Nard Ndoka. Prej disa kohësh ky i fundit ka ndërmarrë një fushatë shpifjesh ndaj meje, çka më detyron sot që përmes kësaj deklarate të sqaroj sa më poshtë. Së pari, megjithëse i kisha premtuar të gjithë demokristianëve, të gjithë njerëzve që kanë dhënë kontribute në PDK përgjatë 17 vjetëve, se nuk do të harxhoja kohën me Ndotjet e politikës shqiptare, jam i detyruar të reagoj pasi, Ndotjet politike po hedhin baltë dhe duan të baltosin gjithkënd, që nuk mendon, nuk sillet apo nuk vepron si ta. Prej disa kohësh, Ndotja më akuzon mua personalisht se po ndërtoj një pallat pa leje në qytetin e Shkodrës, një deklaratë kjo e cila jo vetëm është shpifje, por ka cenuar edhe imazhin tim, ka dëmtuar ndjeshëm të ardhurat e mia”, deklaroi Gurakuqi. Kreu i PDK-së, tha më tej se disponohen të gjitha dokumentet, të cilat mund të kontrollohen nga kushdo që është i interesuar, se pallati është me leje, është ndërtuar sipas parametrave të përcaktuara. “Në këto kushte, vijoi më tej Gurakuqi, jam i detyruar ti drejtohem Gjykatës për të kërkuar dëmshpërblimin financiar prej 1milion eurosh nga zoti Ndoka, i cili me shpifjet e tij, ka dëmtuar imazhin e objektit, dhe për rrjedhojë ka ulur shitjet”, ka bërë ët ditur dje Gurakuqi. Kreu demokristian e ftoi deputetin Ndoka që të gjejë kurajën dhe të sqarojë opinionin publik për të gjitha akuzat që janë ngritur në media në lidhje me abuzimet në sistemin e shëndetësisë gjatë kohës që ai ka qenë ministër. “Po ja kërkoj një gjë të tillë, pasi nga ministrja aktuale e Shqipërisë janë pohuar publikisht shifra marramendëse abuzimesh, të cilat nëse rezultojnë të vërteta, atëherë Ndotjet politike, nuk e kanë vendin në politikë, as edhe duhet të presin pensionin politik, por duhet të shkojnë atje ku përfundojnë shkelësit e ligjit, abuzuesit e fondeve publike. Nisur nga ato çfarë janë thënë në media, nisur nga deklaratat publike të drejtuesve të Ministrisë së Shëndetësisë, po i kërkoj organit qendror të akuzës, Prokurorisë së Përgjithshme, të nisë kryesisht hetimet dhe për t’i treguar shqiptarëve nëse ka pasur apo jo abuzime dhe kush do të përgjigjet për to. Përderisa flitet për abuzime me fondet e taksapaguesve shqiptarë, atëherë unë si njëri prej tyre, janë i interesuar të di nëse këto fonde janë abuzuar apo jo” përfundoi Gurakuqi. ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›