Përcillet në banesën e fundit Bashkim Gazidede

Homazhe në Kuvend nga familjarë, miq e të afërm, përfaqësues të lartë të shtetit, deputetë, bashkëpunëtorë e ish-studentë të tij
Familjarë, miq e të afërm, përfaqësues të lartë të shtetit, deputetë, bashkëpunëtorë e ish-studentë të tij, qytetarë të thjeshtë zhvilluan dje homazhe në nderim të Bashkim Gazidedes, një nga personalitet më të njohura në Shqipërinë post komuniste që ndërroi jetë mbrëmjen e së shtunës, në moshën 56-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë.
Homazhet dhe ceremonia mortore, të organizuara nga Kuvendi i Shqipërisë në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, u zhvilluan në sallën e seancave plenare të Kuvendit, ku dhe u vendos trupi i pajetë i Gazidedes, ish-deputetit, ish-drejtorit të Shërbimit Informativ Kombëtar dhe së fundi nëndrejtor i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive.
Në nderim të tij, zhvilluan homazhe dhe Kryeministri Sali Berisha dhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Në ceremoninë e rastit, kryeministri Sali Berisha dhe Kryetarja e Kuvendit, përcollën për mediat vlerësimet dhe mesazhet në nderim të figurës së Bashkim Gazidedes.
Kryeministri Sali Berisha e vlerësoi figurën e Bashkim Gazidedes si "promotor i vërtetë i proceseve demokratike në Shqipëri. Shqiptarët ndahen sot me një prej bijve më të ndershëm, të përkushtuar, më intelektual e të shquar të tyre", u shpreh Kryemistri. Ndërsa Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli e vlerësoi si "model të korrektësisë, të integritetit dhe të patriotit". "Me vdekjen e tij shteti humbi një shërbëtor të madh e të përkushtuar dhe kombi atdhetarin e flaktë", tha ministri i Drejtësisë Enkeljed Alibeaj, në fjalën e mbajtur në ceremoninë mortore. Bashkim Gazidede lindi në 2 shkurt 1952 në Peshkopi.
Bashkim Gazidede rrjedh nga një familje e njohur e Dibrës, e përndjekur nga regjimi komunist. Ai studioi për matematikë në universitetin e Shkodrës, të cilin e përfundoi me rezultate të shkëlqyera. Më pas punoi si mësues në mjaft shkolla të rrethit të Dibrës, për shkak të “biografisë”. Vetëm në fund të viteve '80 ai filloi si lektor në universitetin e Tiranës.
Në fillim të viteve ‘90, Gazidede u rreshtua natyrshëm në anën e forcave që kërkonin përmbysjen e regjimit komunist. Të gjithë ata që kanë punuar me zotin Gazidete vlerësonin, veç të tjerash, ndershmërinë e tij.
Bashkim Gazidete ka punuar si lektor matematike në Universitetin e Tiranës dhe ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, në vitet '91-'92 pas rënies së regjimit komunist.
Në vitin 1992 emërohet drejtor i Shërbimit Informativ Kombëtar deri në vitin 1997.
Në vitet 2005-2008 punoi si nëndrejtor i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
Gjatë kohës në këtë detyrë, Gazidede u dallua për përkushtimin e tij në reformimin e institucionit që deri atëherë ishte njohur si Sigurimi i Shtetit dhe kishte qenë arma kryesore e regjimit komunist për të ruajtur pushtetin.
...