E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot Franco Frattini, vizitë në Tiranë

Ministri i jashtëm i Italisë, i ftuari i Bashës, do të takojë edhe Topin, Berishën e Topallin

Me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Lulzim Basha, nesër vjen në Tiranë, për një vizitë zyrtare, Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Italisë, Franco Frattini. Vizita e Fratinit ne Tiranë është një moment i rëndësishëm në drejtim të rritjes dhe intensifikimit të marrëdhënieve tradicionale mes dy vendeve.
Gjatë kësaj vizite njëditore, Ministri i Jashtëm Frattini, do të zhvillojë bisedime me homologun shqiptar, Lulzim Basha, si dhe do të pritet në takime të veçanta nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha, dhe nga Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli. Me Kryeministrin Berisha, Fratini do të nënshkruajë edhe disa marrëveshje bashkëpunimi.
Ecuria e bashkëpunimit dypalësh, perspektiva anëtarësimit të afërt të Shqipërisë në NATO, procesi i integrimit në BE si dhe zhvillimet në rajonin tonë do të jenë temat e diskutimit mes të dy Ministrave të Jashtëm. Gjithashtu, me këtë rast, është parashikuar nënshkrimi i disa marrëveshjeve mes të cilave, ajo e njohjes reciproke të lejeve për drejtuesit e automjeteve.
Gjithashtu, Frattini do të jetë i Ftuar Nderi në Konferencën Vjetore të Ambasadorëve të Republikës së Shqipërisë, ku pritet të mbajë një fjalim me temë, “Italia dhe Evropa Juglindore, së bashku drejt integrimit në Bashkimin Evropian”.
Në këtë Konferencë që organizohet nga Ministria e Jashtme marrin pjesë 48 ambasadorët dhe kryetarët e misioneve diplomatike të Shqipërisë të akredituar në botë.
Gjatë punimeve të kësaj konference do të trajtohen temat kryesore të aktualitetit ndërkombëtar dhe çështjet më kardinale që i përkasin diplomacisë shqiptare.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Lulzim Basha do të mbajë referatin me temë “Diplomacia shqiptare gjatë vitit 2008 dhe sfidat që kemi përpara”.
Në këtë konferencë do të kontribuojnë me mesazhet e tyre dhe personalitete dhe funksionarë të lartë të diplomacisë botërore.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›